Kontraceptivët,
shqiptarët nuk i njohin

Kontraceptivët,<br />shqiptarët nuk i njohin
Shqiptarët ende nuk e njohin kontraceptivin. Kështu nga studimet e bëra nga USAID, rezulton se vetëm 9% e shqiptarëve i drejtohen farmacive për të shmangur një shtatzëni të padëshiruar duke përdorur një metodë kontraceptive. Ndërsa në zonat rurale përdorimi i kontraceptivëvë konsiderohet luks dhe turp.  Sot, në ditën botërore, nën sloganin „Është Jeta Juaj- Është e Ardhmja Juaj, Njih Mundësitë e tua për të Zgjedhur“. Do të zhvillohen shumë aktivitete sensibilizuese.
Lumturi mërkuri, specialiste e shëndetit riprodhues na shpjegon disa nga metodat kontraceptive dhe rëndësinë e përdorimit në rast dyshimi, të një kontraceptivi urgjence.
 
 
Çfarë janë metodat contraceptive?
Metodat kontraceptive/ metodat e planifikimit familjar janë metoda të cilat parandalojnë një shtatzëni. Ato shpëtojnë jetë nënash dhe fëmijësh! Një në tre vdekje në gra, të lidhura me shtatzëninë dhe lindjen mund të shmangen nëse gruaja përdor kontraceptiv. Gjithashtu, rritja e intervalit ndërmjet lindjeve të paktën mbi 3 vjet nga përdorimi i kontraceptivëve, mund të parandalojë vdekjen e 1.8 milion fëmijëve nën 5 vjeç. Sot shkenca ka vënë në dispozicion metoda kontraceptive për meshkuj dhe për femra. Metodat kontraceptive për meshkuj janë prezervativi dhe sterilizimi kirurgjikal mashkullor. Prezervativi/kondomi - është një metodë e thjeshtë për tu përdorur. Prezervativi është e vetmja metodë kontraceptive e cila të mbron njëkohësisht si nga një shtatzëni e padëshiruar ashtu edhe nga infeksionet seksualisht të transmetueshme. Stertilizimi kirurgjikal mashkullor- është një metodë e cila konsiston në mbylljen e tubave tek meshkujt. Është një metodë e përhershme prandaj është shumë e mirë për ata meshkuj të cilët kanë vendosur të mos kenë më fëmijë në të ardhmen. Për këtë arsye nëse vendoset të përdoret kjo metodë duhet menduar mirë paraprakisht. Metodat kontraceptive për femra: kontraceptivët për femra janë një gamë më e gjerë ku më të përdorshmet janë: Pilulat kontraceptive, pilula e urgjencës, injeksioni, spiralja/DIU dhe sterilizimi kirurgjikal femëror.
 
Çfarë janë pilulat kontraceptive?
Pilulat kontraceptive janë ndër metodat e kontracepsionit të përdorura gjerësisht nga femrat e të gjitha moshave në të gjithë botën që nga viti 1960. Rreth 65 milion gra në mbarë botën e përdorin këtë metodë. Pilulat kontraceptive janë pilula të cilat pihen nga goja dhe veprojnë në mënyrë shumë të ngjashme me hormonet natyrale që prodhohen në trupin e femrës. Pilulat kontraceptive mund të fillohen në cdo mement që femra dëshiron, por idealisht do të ishte dita e 1-5 e fillimit të menstruacioneve për të qënë e sigurt që nuk është shtatzënë. Ato duhet të pihen rregullisht çdo ditë. Janë në formën e paketave zakonisht me nga 28 tableta/pilula. Me mbarimin e një pakete fillohet paketa tjetër. Aftësia për të mbetur shtatzënë rikthehet menjëherë mbas ndërprerjes së pirjes së pilulave. Pilulat përdoren për aq kohë sa femra dëshiron të mos ngelet shtatzënë. Nëse një femër gjatë kohës që pi pilulat kontraceptive ka diarre apo të vjella të shpeshta, kontraceptivi nuk thithen plotësisht dhe efekti i tyre zvogëlohet, prandaj në këtë rast duhet përdorur një metodë tjetër shtesë. Nëse harrohet të pihet një pilulë femra rrezikon të ngelet shtatzënë. Ky rrezik varet nga lloji i kokrrës që ajo është duke përdorur. Nëse femra harron të pijë pilulat vetëm me progesteron qoftë edhe me pakë orë vonesë shtatzënia mund të ndodhë.  Pilulat kontraceptive kanë edhe përfitime te tjera si psh ndihmojnë në mbrojtjen nga kanceri i mitrës dhe i vezoreve, parandalojnë dhe pakësojnë aneminë nga mungesa e hekurit, lehtësojnë dhimbjet menstruale, etj.
 
Çfarë është pilula kontraceptive e urgjencës?
Pilula kontraceptive e urgjencës është një lloj kontraceptivi i cili parandalon një shtatzëni të padëshiruar nëse merret mbas një raporti seksual të pambrojtur. Pilula kontraceptive e urgjencës nuk ka kufizim në përdorim dhe është e sigurt, e efektshme dhe e përshtatshme për çdo grua të moshës riprodhuese e cila mund të kenë nevojë për kontracepcion urgjence në kohë të ndryshme të jetës së saj për të shmangur një shtatzëni të padëshiruar.  Pilula kontraceptive e urgjencës mund të përdoret në mënyrë të sigurt dhe nga mosha e adoleshencës.  Pilula kontraceptive e urgjencës ofron efektshmëri të lartë vetëm nëse pihet sa më shpejtë që të jetë e mundur mbas një marrëdhënie seksuale të pambrojtur, para se veza të lëshohet nga vezorja. Pilula kontraceptive e emergjencës parandalon shtatzëninë duke parandaluar ose vonuar ovulacionin si dhe fekondimin e një veze. Pilula kontraceptive e urgjencës e rekomanduar nga OBSH është një dozë e vetme (levonorgestrel 1.5 mg) e marrë brenda pesë ditëve (120 orë) nga një raport seksual i pambrojtur. Por një grua mund të marrë pilulën kontraceptive (levonorgestrel) në dy doza (0.75 mg secila 12 orë larg), por që është më pak komode për gruan.
 
Në çfarë situata duhet të përdoret kontracepsioni i urgjencës?
Kontracepsioni i urgjencës mund të përdoret në një numër të situatave pas një raporti seksual të pambrojtur, që mund të jenë:
nëse harrohet të pihet pilula kontraceptiver mujore (tre apo më shumë pilula rresht e kombinuar orale, ose më shumë se tre orë me vonesë për pilulën vetëm me progestogen; nëse injeksioni merret më shumë se dy javë me vonesë; nëse cahet prezervativi; tërheqja e dështuar (derdhje e spermës në vaginë ose në organe gjenitale të jashtme); llogaritje e gabuar e metodës së abstinencës periodike
dalja e spirales; në rastet e sulmit seksual, kur gruaja nuk është e mbrojtur nga një metodë kontraceptive. Levonorgestreli, pilula kontraceptive e urgjencës nuk është efektive nëse procesi i implantimin ka filluar, pra nuk duhet t'i jepet një gruaje që tashmë ka një shtatzëni të konfirmuar. Megjithatë, nëse një grua pa dashje merr pilulën kontraceptive të urgjencës, pasi ajo është shtatzënë, provat në dispozicion sugjerojnë se pilula nuk dëmton as nënën as fetusit të saj. Pilula kontraceptive e urgjencës nuk do të shkakton abort nëse shtatzënia ka ndodhur. Ai thjesht nuk lejon të ndodhi një shtatzëni, gjithmonë nëse pihet në kohën e duhur. Nuk ka kundraindikacione mjekësore për përdorimin e pilulave kontraceptive emergjente me levonorgestrel.
 
Cila është metoda më e mirë për tu përdorur?

Kjo varet nga veçoritë dhe preferencat individuale. Është mirë që kur një femër vendos të përdor kontraceptiv të shkojë tek mjeku i qëndrës së planifikimit familjar ose i qëndrës shëndetësore.
 
Sa kohë duhet që kontraceptivët të japin efektin?
Kjo varet nga kontraceptivi që do të zgjidhet si dhe nga koha e fillimit të tij. Ideale do të ishte që përdorimi i çdo lloj kontraceptivi të fillojë ditën e parë të menstruacionit. Por mund të fillohet në çdo kohë kur një femër dëshiron, mbasi të sigurohet që nuk është shtatzënë.
 
A kanë efekte anësore kontraceptivët?
Disa gra mund të kenë shqetësime të cilat ndryshojnë nga një grua tek tjetra. Shqetësimet me të zakonshme janë; marrje mendsh, të vjella, tensionim të gjinjëve. Nëse një femër ka shqetësime nga përdorimi i kontraceptivit që ka zgjedhur, duhet të shkojë tek mjeku për të zgjedhur një metodë tjetër, apo për të vendosur së bashku se çfarë duhet bërë.

Në Shqipëri 
Raporti lindje/abort
 
Në vitin 2012 është 4.5:1
Në vitin 2011 ishte 4.1:1
Në vitin 2010 ishte 4.2:1
Në vitin 2009 ishte 3.7:1
 

Shkrimi u publikua sot (26.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Ambasadori i Rusisë në Tiranë largohet nga Shqipëria, ja kush e zëvendëson

Ambasadori i Rusisë në Tiranë largohet nga Shqipëria, ja kush e zëvendëson