Mbi 12 mijë punonjës të Policisë së Shtetit u bënë me një kontratë të re kolektive pune, e cila hyri në fuqi pak ditë më parë, firmosur mes kryepolicit Gledis Nano dhe kreu të Sindikatës së Policisë, Sadedin Fishta. Të gjitha ligjet dhe vendimet e qeverisë, të cilat ishte e pamundur të implementoheshin deri tani përmes kontratës së vjetër, u hapet rruga zyrtare për në kontratën e re.

Fishta thotë për Report Tv se një ndër më kryesorët është VKM 68 e vitit 2018, i cili u garanton policëve marrjen e shpërblimit për një vakt ushqimi brenda një orari pune.

‘Një lloj shtese që u jepet punonjësve të policisë, një vakt ushqim që u takon punonjësve, qoftë civil qoftë edhe me uniformë për shkak të shpenzimeve që kryejnë ata për tetë orë punë për t’u ushqyer. Deri tani nuk është zbatuar sepse vetë Ministria e Financave shprehet se vetëm në rastet kur është i parashikuar në kontratë ky vendim është i zbatueshëm. Shteti edhe nëse e jep në muajin e parë dhe të dytë e të tretë nuk e jep, ta quajmë sikur nuk ka mundësi dhe fonde, ky borxh është i regjistruar si borxh që ua ka çdo punonjësi”, deklaron Fishta.

Firmosja e kësaj kontratës, avancon edhe marrëdhëniet mes Policisë dhe Sindikatës, të cilat kanë qenë thuajse të ngrira deri para pak muajsh.

‘Marrëdhëniet kanë qenë të fokusuara vetëm tek problematikat dhe jo në zgjidhjen e tyre. Kjo kontratë ka detyrimin që të dy palët të ulen dhe të diskutojnë mundësitë reale që ka Policia e Shtetit për të zbatuar, implementuar dhe për t’u dhënë punonjësve të policisë atë që u takon”, përfundon kreu i Sindikatës së Policisë, Sadedin Fishta.

Me ndryshimin nga e para të pikave të marrëveshjes, përfitimet dhe të drejtat e uniformave blu bëhen të detyrueshme të zbatohen për Policinë e Shtetit edhe institucioneve të tjera. Në mesin e tyre është edhe marrja deri në 150% e pagës për të gjithë policët që punojnë larg vendbanimit, në varësi të kilometrave.

 

Kontrate e re kolektive