Një 36-vjeçar shqiptar u ekzekutua me plumb në kokë rreth mesnatës së djeshme në Athinë. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, paraprakisht dyshohet se është zbatuar "kontrata e vdekjes" nga një grup kriminal, që ka porositur ekzekutimin e shqiptarit përmes vrasësve me pagesë.
Ende nuk është bërë me dije identiteti i tij, teksa detaji i vetëm që thuhet deri më tani është se trupi i tij i pajetë u gjet në kryqëzimin e rrugëve Makris dhe Parnithos në lagjen Kypseli. Policia ka nisur një hetim për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në qendër të qytetit.
Mësohet se ai u gjet gjysmë ore pas mesnate në rrugë i pajetë. Hetimet paraprake thonë se motivi i krimit ka lidhje me larje hesapesh. Por po hetohet në disa pista. Mediat greke shkruajnë se ai u ekzekutua poshtë pallatit, pasi kishte parkuar motorin. Shqiptarin e prisnin në shtëpi gruaja shtatzënë dhe fëmija i tyre i mitur.
Mësohet se pasi ka marrë vesh lajmin, gruaja e tij ka pësuar shok. Hetuesit janë duke mbledhur prova dhe morën dëshminë e vëllait dhe familjarëve të viktimës. Policia greke ka mbledhur filmimet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorin.