Pensionet vijojnë të kushtojnë më shumë sesa arkëton skema e sigurimeve shoqërore. Edhe pse gjatë vitit të kaluar u mblodhën 193.8 miliardë lekë (2 mld euro) nga kontributet e paguara, kjo shumë nuk ishte e mjaftueshme për të përballuar pagesën e të gjitha pensioneve në vend. Për të mbuluar faturën totale prej 204 miliardë lekësh që duheshin për të paguar pensionet, skemës iu desh mbështetja e buxhetit të shtetit.
Të dhënat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore tregojnë se rreth 10.1 miliardë lekë ose rreth 106 milionë euro janë transferuar nga buxheti për të mbuluar hendekun financiar në skemë. Ndërsa si përqindje në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto deficiti i skemës në vitin 2025 ra në 0.38%, nga 0.68% që ishte në 2024-ën.
Varësia e skemës nga financat publike mbetet e lartë. Që prej vitit 2014 kur u hartua kjo skemë pensionesh e bazuar në kontribute dhe vitet e punës, buxhet i shtetit ka harxhuar afro 2.7 miliardë euro për të financuar sistemin e pensioneve.
Ekspertët argumentojnë se deficiti vazhdon të thellohet nga dinamika demografike, ku numri i pensionistëve po rritet me ritme më të shpejta sesa ai i kontribuuesve, duke shtuar presionin mbi këtë skemë. Gjatë vitit të kaluar janë lidhur 42.905 pensione të reja, ndërsa numri i kontribuuesve u shtua me vetëm 27 mijë persona.
Shifrat e ISSH tregojnë se aktualisht në vend janë 754,981 pensionistë në total, kurse numri i kontribuuesve, pra i të punësuarve për të cilët paguhen sigurime shoqërore arriti në 870,964 kontribuues. Aktualisht për të paguar 100 pensionistë duhet të kontribuojnë 118 të punësuar.
Emigrimi i fuqisë punëtore, punësimi në të zezë dhe nëndeklarimi i pagave janë shkaqet kryesore që skema e pensioneve vijon në deficit.
Komente












Po moj zemer kur themi ne ky cjapi e coi ne fund kete shtetin.
Përgjigju