'Kontributi juaj, aset i çmuar për edukimin e brezit të ri', Presidenti Meta uron festat e fundvitit me pensionistët

'Kontributi juaj, aset i çmuar për edukimin e brezit të ri', Presidenti Meta uron festat e fundvitit me pensionistët

Presidenti Ilir Meta, gjatë takimit me pensionistët në qëndrën sociale

“Kontributi juaj, aset i çmuar për të ardhmen e brezit të ri”. Këtë mesazh ka dhënë presidenti i Republikës,  Ilir Meta i cili me rastin e Festave të Fundvitit, vizitoi këtë të mërkurë Qendrën Sociale për pensionistët të Kryqit të Kuq Shqiptar, në Tiranë.

Teksa i ka përshëndetur përzemërsisht të pranishmit, Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për kontributin e jashtëzakonshëm, gjatë gjithë jetës së tyre për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit.

Kreu i shtetit, Meta gjatë takimit që pati me të moshuarit e kësaj qendre sociale shprehu kënaqësinë e kremtimit së bashku të momenteve festive, ndërsa vlerësoi përkushtimin dhe përkujdesjen e Kryqit të Kuq Shqiptar që ka ngritur këtë qendër kaq funksionale për moshën e tretë, ku frekuentuesit e saj e kalojnë kohën e lirë në mënyrë të organizuar, të kulturuar dhe të këndshme.

 “Kënaqësi që të jem me ju, sepse ju përfaqësoni brezat e prindërve e të gjyshërve tanë që kanë bërë shumë për rimëkëmbjen e vendit, për arsimimin, elektrifikimin, për ndërtimin e hekurudhave e të hidrocentraleve dhe për edukimin e brezit të ri", u shpreh presidenti Meta.

Teksa u ndal tek problemet e vështirësive ekonomike dhe sociale presidenti Meta tha se çështja e emigracionit është kthyer në ditët e sotme ne një problem mjaft serioz, për familjet shqiptare që duhet të trajtohet me vëmendjen e duhur nga ana e shoqërisë sonë dhe institucioneve përgjegjëse

Emigracioni, ashtu sikurse ka pasur aspektet e veta pozitive në fillim, tashmë është kthyer në një problem shumë të madh. Tani jemi të ndërgjegjshëm edhe për problemet e mëdha të vetmisë, me të cilat ndeshen shumë familjarë e prindër. Kemi edhe problemet e tjera që kanë të bëjnë me përballimin e pensioneve, të skemës së pensioneve dhe rritjen e tyre në të ardhmen, që janë probleme objektive ndaj të cilave duhet të tregojmë më shumë vëmendje. Është detyra e jonë, e instititucioneve në veçanti por edhe e shoqërisë, për të treguar më shumë respekt e përkujdesje për ju, për hallet tuaja, pasi kontributi e përvoja e juaj janë një aset i çmuar për sot e të ardhmen.Ne të gjithë duhet të tregojmë më shumë mundësi, jo vetëm për të përfituar nga përvojat dhe aftësitë tuaja në të kaluarën, por edhe t’i investojmë këto përvoja për ta edukuar më mirë brezin e ri, me ndjenjën e punës, të ndershmërisë, të korrektësisë, të bërjes së punës me dinjitet dhe përgjegjshmëri, e jo të gjetjes së rrugëve të lehta në jetë, të cilat sjellin pastaj një kosto shumë të madhe për të rinjtë vetë, për familjet e tyre, por edhe për të gjithë shoqërinë.

Ilir Meta, presidenti i Republikës

Vetëm po të kemi parasysh numrin e të rinjve që janë marrë me kanabis dhe janë sot nëpër burgje në Europë, do të kuptojmë se sa i rëndësishëm është edukimi i të rinjve, brumosja e tyre me ndjenjën e punës, të marrjes së një profesioni të denjë, aq më tepër të profesioneve që deri dje mund të dukeshin si jo shumë të preferuara, por që janë nga profesionet më të nderuara për të ndërtuar një jetë me të ardhura shumë të mira dhe dinjitoze, sepse profesionistët mungojnë dhe ata kërkohen gjithnjë e më tepër në tregun e punës vuri në dukje presidenti Meta.

Gjithashtu, presidenti i Republikës Ilir Meta përcolli për të gjithë mesazhet e urimit për festat e fundvitit ku shprehu nevojën e solidaritetit për të ndërtuar një shoqëri sa më të  shëndetshme e me të ardhme të sigurtë

Ju uroj të gjithëve në këtë atmosferë festash sa më shumë shëndet, jetë të gjatë, dhe solidaritet me njëri-tjetrin, por edhe solidaritet për të gjithë shoqërinë tonë, për familjet tona, për të gjitha bashkësitë tona, sepse në radhë të parë jemi shqiptarë, jemi njerëz dhe duhet ta forcojmë akoma edhe më shumë këtë ndjenjë të të qenit shqiptarë! Të mos harrojmë se i përkasim njëri-tjetrit! Kjo është kryesorja: pa njëri-tjetrin askush prej nesh nuk është ai që do të donte të ishte në sytë e botës, edhenë sy të fqinjëve, edhe në sy të të tjerëve", u shpreh Meta. 

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë