TIRANE- Një kontroll 'Blic' është ushtruar ditën e sotme në Doganën e Tiranës, me qëllim verifikimin e personave që hyjnë dhe dalin në doganë, mjeteve dhe mallrave si dhe ambienteve përreth.

Në aksion ku morën pjesë 200 forca policie janë shoqëruar 7 persona, pas kontrollit në 67 kamionë, 23 magazina dhe objekte të ndryshme brenda doganës, 107 automjete dhe rreth 267 persona.

Gjatë kontrollit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 pistoletë, e cila do të dërgohet për ekspertim, disa vula të dyshuara si të falsifikuara e sende të tjera të kundërligjshme.

"Policia e Shtetit do vijojë kontrollet  në të gjitha objektet e rëndësisë së veçantë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme, si dhe rritjen e parametrave të sigurisë publike. Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital apo në numrin 112, duke u garantuar anonimat të plotë, reagim të shpejtë e të paanshëm", njofton policia e Shtetit.