Policia Rrugore e Fierit ka intensifikuar monitorimin në akset rrugore dhe në pikat hyrëse-dalëse të qarkut me pajisje inteligjente, me synim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.
Gjatë kësaj jave janë proceduar penalisht 7 shtetas për shkelje të ndryshme të dispozitave të Kodit Rrugor. Sipas policisë, 2 drejtues mjetesh janë arrestuar në flagrancë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor që lidhen me aksidente, ndërsa 5 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Në kuadër të kontrolleve parandaluese të zhvilluara në rrugët urbane, interurbane dhe lokale, janë vendosur gjithsej 694 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë në rrugët interurbane dhe në autostradën A2, 43 për mospërdorimin e rripit të sigurimit, 5 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, 36 për parakalim të gabuar, 5 për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit, 7 për kryerjen e manovrave të rrezikshme dhe 91 për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.
Po ashtu, janë sekuestruar 5 motomjete që qarkullonin pa dokumentacionin dhe targat përkatëse.
Policia Rrugore Fier u bën apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, si një masë e rëndësishme për rritjen e sigurisë rrugore, mbrojtjen e jetës dhe garantimin e një qarkullimi të sigurt.









Komente
Komento