Policia e Kosovës ka zhvilluar kontrolle në 102 lokale në të gjithë vendin, përfshirë ambiente të muzikës live dhe qendra masazhi. Si rezultat, 15 lokale janë mbyllur për shkelje administrative, ndërsa tetë persona janë arrestuar në katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion”.
Sipas Policisë, gjatë kontrolleve në 40 lokale të muzikës live janë evidentuar 285 persona, ndërsa në 62 qendra masazhi janë hasur 120 persona, përfshirë të Kosovës dhe të huaj.
Tetë personat e arrestuar janë katër meshkuj dhe katër femra të Kosovës, Shqipërisë, Brazilit dhe Kolumbisë. Për rastet janë dorëzuar fletëparaqitjet në Gjykatë, e cila ka shqiptuar gjoba dhe masa dëbimi për shtetaset e huaja, me ndalim hyrjeje në Kosovë nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Policia bëri të ditur se gjatë operacionit punëtoreve në lokalet e kontrolluara u është dhënë mundësia të deklarohen nëse kanë qenë viktima të shfrytëzimit apo trafikimit me qenie njerëzore, por nuk është evidentuar asnjë rast i tillë.
Kontrollet janë zhvilluar nga 3 deri më 17 nëntor, në bashkëpunim me inspektoratet dhe institucionet përkatëse.
Njoftimi i plotë:
Policia realizon plan operativ kundër trafikimit me qenie njerëzore
Prishtinë, më 19 nëntor 2026
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, ka hartuar Planin Operativ ‘Vjeshta 2026’, dhe të njëjtin e ka realizuar me aktivitete në teren. Nga data 03-17.11.2026, Policia në koordinim dhe bashkëpunim me inspektorë nga Inspektorati Qendror i Tregut -MINT, Inspektorati Qendror i Punës, inspektorë nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe inspektorë sanitar dhe mbështetur po ashtu nga: Departamenti i Kufirit –Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, Njësit Speciale NJSO, NJRSH dhe zyrtarë nga Drejtoritë Rajonale përkatëse, janë kryer aktivitet në vijim:
Kontrollimi i 40 lokaleve (Muzikë Live) në tërë territorin e Republikës së Kosovës, ku janë hasur gjithsej 285 persona (223 femra dhe 62 meshkuj), prej tyre 117 shtetas të Kosovës ndërsa 168 shtetas të huaj (155 femra shtetase të Shqipërisë, 9 femra shtetase të Serbisë, 3 femra shtetase te Maqedonia e Veriut, 1 femër shtetase e Kolumbisë).
Prej këtyre lokaleve të inspektuara 8 janë mbyllur për shkelje administrative nga inspektorët e MINT.
Kontrollimi i 62 ‘Qendrave të Masazhit’, në tërë territorin e Republikës së Kosovës, ku janë hasur gjithsej 120 persona (94 femra dhe 26 meshkuj), prej tyre 73 shtetase të Kosovës ndërsa 47 shtetase të huaj ( 19 femra shtetase te Shqipërisë, 27 femra shtetase të Tajlandës, 1 femër shtetase e Serbisë).
Prej këtyre lokaleve ‘Qendra Masazhi’, 7 janë mbyllur për shkelje administratave nga inspektorët.
Gjatë këtij plani janë evidentuar edhe 4 raste të kundërvajtjeve “Marrje me prostitucion” – Eskorta ku janë arrestuar gjithsejtë 8 persona: 4 meshkuj (3 kosovarë dhe 1 shtetas i Shqipërisë), 1 femër shtetase e Brazilit dhe 3 femra shtetase të Kolumbisë
Për kundërvajtjet “Marrje me Prostitucion”, janë dorëzuar fletëparaqitjet në Gjykatë ku të dyshuarve u është shqiptuar dënimi me gjobë, ndërsa shtetaseve të huaja me vendim të Gjykatës u është shqiptuar edhe masat plotësuese ‘Dëbim nga territori i Republikës së Kosovës ‘ dhe ndalës hyrje ne RKS prej 6 muaj deri në 3 vite.
Gjatë realizimit të këtij plani të gjitha punëtoreve të hasura duke punuar në Lokale muzikës, Qendra masazhi dhe Esacorta u është dhënë mundësia e deklarimit nëse ndonjëra nga to është viktimë e ndonjë forme të shfrytëzimit (trafikimit), mirëpo nuk ka rezultuar me ndonjë rast të kësaj natyre.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë








Komente
Komento