Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një prej magazinave të grumbullimit të bimëve medicinale në qytetin e Koplikut. Kanë qenë pronarët e saj që pikasen flakët e zjarrit në një prej dhomave të tharjes dhe njoftuan menjëherë shërbimin zjarrfikës të Malësisë së Madhe. Zjarri ka nisur të përhapet me shpejtësi i favorizuar nga materiali i thatë bimor, ndërsa zjarrfikësit ndërhyn me 3 mjete për shuarjen e tij.

Duke parë situatën që mund të rrezikonte magazinën plotësisht por edhe banesat përreth, është kërkuar ndihma e zjarrfikësve të Shkodres që ndërhyn me një mjet të tonazhit të lartë. Për disa orë me radhë shërbimi zjarrfikës ka luftuar me flakët e zjarrit duke bërë të mundur fillimisht lokalizimin e tyre e më pas shuarjen e plotë. Ende mbeten të paqarta shkaqet e këtij zjarri ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Fatmirësisht nuk ka patur persona të lënduar, ndërsa dëmet ende nuk janë llogaritur. Edhe një vit më parë, në majin e 2014-es kjo magazinë është përfshirë nga flakët e zjarrit dhe sipas përllogaritjeve asokohe, dëmet e shkaktuara kapnin shifrën në rreth 200 mijë dollarëve. Magazina është në pronësi të shtetasit Haxhi Bercaj nga qyteti Koplikut. 
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)