KORÇË - Pas fushës së avionit të Gjadrit në Lezhë edhe aerodromi i Lumalasit në Korçë është mbushur me blloqe betoni duke humbur në këtë mënyrë funksionin e tij si pistë aviacioni.

Blloqet e betonit janë vendosur në të gjithë gjatësinë e pistës, ndërsa prej ditësh ky objekt patrullohet nga forcat e armatosura.

Kjo fushë aviacioni prej vitesh nuk kryen asnjë funksion, por pas akuzave të ditëve të fundit lidhur me përfshirjen e ushtrisë në trafikun e lëndëve narkotike, me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes Forcat e Armatosura kanë marrë nën kontroll të plotë pistën.
 
Prania e ushtarëve të forcave të armatosura mbi pistë është më orare të zgjatura, ndërsa vëzhgimit të ushtrisë nuk i kanë shpëtuar edhe rrugët që të çojnë në këtë aeroport.

Ky bllokim i aerodromit vjen në kuadër të masave të ndërmarra nga ministria e mbrojtjes për rritjen e sigurisë në fushat e avionit, të cilat sipas partisë demokratike përdoren nga trafikantët e drogës në punën e tyre për të eksportuar lëndë narkotike drejt perëndimit.

Aerodromi i Lumalasit në Korçë prej viteve 1990 ka humbur funksionin e tij, ndërsa më herët aty uleshin avionë të vegjël që spërkasnin tokat bujqësore të kësaj zone.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)