Muzeu Kombëtar i Arsimit në Korçë ditë pas dite është duke u pasuruar me elemente të rinj të cilët janë dëshmi e kulturës dhe përpjekjeve të hershme të patriotëve në fushën e arsimit. Mbi 60 libra, objekte dhe sende të patriotëve dhe figurave të njohura janë ekspozuar prej fillimit të këtij viti në muze i cili më herët ka qenë thuajse i braktisur.

Së fundmi në ambientet e tij janë ekspozuar edhe një mbulesë e stilit francez e punuar nga rrobaqepësi Lluka Tira, dhe kutia e duhanit të tij i cili ka qenë një nga mësuesit e shkollës së vashave dhe disa veshje të përdorura nga Persefoni Treni një nga nxënëset e para të kësaj shkolle e cila ka punuar atje për vite me radhë për mësimin e gjuhës shqipe. Sipas drejtorit të këtij muzeu, Niko Kotherja, interesi i vizitorëve është i lartë për shkak të relikeve dhe objekteve që i janë shtuar së fundmi muzeut.