Edhe këtë vit, në një atmosferë festive dhe të qetë, qyteti i Korçës ka kremtuar Krishtlindjen, një nga festat më të rëndësishme të besimit të krishterë. Qytetarë vendas, por edhe vizitorë nga jashtë vendit, janë mbledhur në qendër të qytetit dhe në ambientet e kultit për të festuar këtë ditë të shënuar.

Kulmi i ceremonive fetare u mbajt në Katedralja Ngjallja e Krishtit, ku mesha e Krishtlindjes u drejtua nga mitropoliti i Korçës Anastas. Mesazhi i kësaj dite u fokusua te paqja, bashkimi, toleranca dhe rëndësia e familjes si themel i shoqërisë.

Pas përfundimit të meshës, qytetarët u drejtuan drejt banesave të tyre për të vijuar festimet familjare të Krishtlindjes.

Ndërkohë, 24 orët e fundit janë shoqëruar me fluks të shtuar në pikën doganore të Kapshticës. Shumë shtetas shqiptarë që jetojnë në Greqi kanë zgjedhur të festojnë Krishtlindjen në atdhe. Rekordi i hyrjeve është shënuar një ditë më parë, me mbi 13 mijë shtetas që kanë kaluar në doganën e Kapshticës. Autoritetet doganore kanë punuar me sportele maksimale për të shmangur pritjet e gjata.

Sipas qytetarëve, vështirësi janë hasur në anën greke të kufirit, ku për shkak të ngarkesës dhe ritmit të ngadalshëm të përpunimit janë krijuar radhë në dalje nga Greqia.

Korça, këto ditë, po përjeton një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve, e ndikuar si nga programi festiv, ashtu edhe nga reshjet e lehta të dëborës në zonat malore përreth. Strukturat akomoduese raportojnë prenotime të plota, ndërsa ambientet hoteliere dhe restorantet kanë qenë të angazhuara maksimalisht.

Mbrëmjen e Krishtlindjes, qyteti u gjallërua nga aktivitete artistike dhe muzikë live, duke krijuar një atmosferë festive për qytetarët dhe turistët.


Lajmi kryesor:

Gëzuar Krishtlindjen! Besimtarët lutje e mesazhe në meshë! Kryepeshkopi Joan: Bota ka nevojë për dritën e Krishtit! Dodaj: Ecim me shpresë përballë çdo zhgënjimi