Korça është kthyer këto ditë në qendrën e folklorit ballkanik, me organizimin e edicionit të tetë të festivalit ndërkombëtar “Shpirti i Ballkanit”. Për dy netë me radhë, qyteti juglindor mirëpret grupe artistike nga Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit, të cilat po sjellin për publikun këngë, valle dhe tradita popullore.

Atmosfera festive ka pushtuar rrugët kryesore dhe pedonalen e qytetit ku parada e ansambleve folklorike ka tërhequr vëmendjen e qindra qytetarëve dhe vizitorëve. Me kostume tradicionale shumëngjyrëshe dhe performanca autentike, grupet pjesëmarrëse nga Shqipëria, Greqia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë dhuruar një spektakël të veçantë duke promovuar kulturën dhe trashëgiminë e vendeve të tyre.

Në festival marrin pjesë pesë grupe folklorike konkurruese, përfaqësuese të pesë shteteve të Ballkanit, ndërsa programi artistik pasurohet edhe nga tre grupe muzikore të ftuara.

“Shpirti i Ballkanit” do të vijojë mbrëmjen e së shtunës me natën finale ku pesë grupet folklorike do të ngjiten sërish në skenë për t’u vlerësuar nga një juri profesionale duke mbyllur kështu një tjetër edicion që promovon miqësinë, kulturën dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit.