Mbrëmjen e së shtunës Korça çeli 'Festivalin e Dritave' duke përcjellë tek qytetarët edhe turistët atmosferën e bukur të festave të fundvitit. Pas numërimit mbrapsht nën zërin e fëmijëve dhe pjesëmarrësve u ndezën njëkohësisht të gjitha dritat e qytetit për të çelur kështu pragun e festave të fundvitit.
Turistë vendas e të huaj, qytetarë edhe fëmijë përjetuan një mbrëmje ndryshe. Atmosfera i ka dhënë qytetit një tjetër dimension mes magjisë se dritave dhe ngjyrave. Kryetari i Bashkisë Sotiraq Filo ka shprehur solidarizimin e qytetarëve të Korçës dhe institucioneve ku përmes një koncerti bamirësie në sheshin e pazarit të vjetër fondet e mbledhura do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti.
"Sikur është bërë traditë, Korça organizon festivalin e dritave, është një atmosferë magjike. Do të kemi një panair Krishtlindjesh, por edhe aktivitete të tjerë. Muaji dhjetor është i ndryshëm, për shkak edhe të situatës së tërmetit, por pavarësisht ngushëllimit, besoj se është momenti ta kapërcejmë këtë moment dhe të shikojmë me optimizëm. Pjesë e aktivitetit është edhe një koncert bamirësie, ku fondet do të kalojnë për të prekurit" tha ai.
Ndërkohë që një kalendar i pasur aktivitetesh do e shoqërojë Korçën përgjatë gjithë muajit të festave duke synuar që serish Parisi i vogël të mbetet epiqendra për turistët.