KORÇË - Në Korçë u festua fundi i konfliktit ose armëpushimi i vitit 1918 mes shteteve ballkanike dhe Europës.

Në këtë ceremoni përkujtimore, në nderim të 640 ushtarëve francezë, të cilët dhanë jetën në emër të lirisë, ishte e pranishme edhe ambasadorja franceze për Shqipërinë, Christine Moro, prefekti i Korçës, Ardit Konomi, kryetari i bashkisë, Sotiraq Filo në daljen e tij të parë publike, si dhe autoritetet civile, ushtarake dhe fetare, të cilët kryen homazhe dhe vendosën kurora me lule në varret e të rënëve.

"E gjithë Franca po përmbush sot këtë detyrë përkujtimi dhe është nder për mua dhe francezët e pranishëm, që kemi pranë miqtë tanë shqiptarë në këtë ditë të shënuar. Armëpushimi i 11 nëntorit shënoi edhe fundin e konfliktit vdekjeprurës, që shpresojmë të mos përsëritet më.

Sot Shqipëria dhe fqinjët e saj ashtu si gjithë Europa kanë zgjedhur rrugën e paqes dhe bashkëjetesës mes komuniteteve kombëtare dhe fetare, kanë zgjedhur rrugën e afrimit dhe integrimit me Europën”, ka thënë ndër të tjera ambasadorja Moro në fjalën e saj.

Për të gjithë të pranishmit u dhurua Luleguri nga Franca, e zgjedhur si simbol i paqes nga Franca pas Luftës së Parë Botërore, për të nderuar dhe kujtuar të rënët e këtij konflikti.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)