Korçë, Beqaj:1 mld e 360 mln lekë
për rikonstruksionin e maternitetit

Korçë, Beqaj:1 mld e 360 mln lekë<br />për rikonstruksionin e maternitetit
Pas Sarandës dhe Gjirokastrës, edhe spitali rajonal i Korçës do të ketë së shpejti një godinë tërësisht moderne të maternitetit, duke rritur në këtë mënyrë, cilësinë dhe standardin e shërbimit. 1 miliardë e 360 milionë lekë është fondi i parashikuar për rikonstruksionin e këtij materniteti.
 
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe Zëvendëskryeministri, Niko Peleshi, ishin në spitalin rajonal të Korçës ku u njohën me projektin, punimet për të cilin do të nisin së shpejti.
 
“Janë 1 miliardë e 360 milionë lekë të vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit për fillimin e rikonstruksionit dhe të shtesës për Maternitetin e Korçës. Procedurat e prokurimit kanë filluar. Këshilli Kombëtar i Territorit ja ka deleguar Bashkisë së Korçës procedurat për dhënien e lejes së ndërtimit, kështu që ne besojmë që brenda muajit prill do të fillojmë punimet, të cilat do të zgjasin rreth 12 deri në 14 muaj”, u shpreh Beqaj.
 
Kreu i Shëndetësisë, theksoi gjithashtu se ky projekt “është vazhdim i angazhimeve që ne kemi për të përmirësuar ndjeshëm shërbimin spitalor, për të afruar shërbim dhe akses cilësor sa më pranë vendbanimit ku janë njerëzit, ky spital ka një traditë, mbulon një qark me një popullsi jo të vogël dhe edhe ndërhyrjet e tjera që po bëjmë në këtë spital besoj se do ta rrisin cilësinë e shërbimit për të gjithë banorët e qarkut të Korçës”.
 
Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri Peleshi e vlerësoi projektin duke e cilësuar atë si një investim të rëndësishëm për qarkun e Korçës.
 
“Unë e përgëzoj dhe e falënderoj Ministrin që e ka futur në paketën e projekteve prioritare për vitin në vazhdim, është një procedurë e filluar, rindërtimi apo ndërtimi i një materniteti të ri këtu tek kjo godinë gjysmë e rrënuar që kemi mbrapa. Është një investim i qenësishëm prej 1 miliardë e 360 milionë lekësh, siç e tha Ministri, pastaj do të ketë pothuajse po kaq edhe blerjen e të gjithë pajisjeve moderne të këtij materniteti”, theksoi numri dy i Qeverisë”, u shpreh z. Peleshi.
 
Ndërkohë, Beqaj dhe Peleshi inspektuan edhe ecurinë e punimeve për ndërtimin e qendrës së re të shërbimit të Hemodializës në spitalin rajonal të Korës, një investim i cili do të jetë gati në muajin Prill të këtij viti.
 
“Kjo është një mundësi shumë e mirë që kush ka nevojë për këtë shërbim jetik dhe jeton në Korçë, mund ti kthehet jetës normale, sepse mund ta bëjë shërbimin pasdite, dhe ndërkohë, paradite mund të vazhdojë punë. Shmangim jo vetëm hallet e pacientëve, që tre herë në javë duhet të vinin në Tiranë, por përgjithësisht edhe familjarët që gjithmonë duhet ti shoqërojnë”, nënvizoi Ministri Beqaj.
 
Ndërsa Zëvendëskryeministri Peleshi vlerësoi partneritetin publik-privat në sajë të të cilit po bëhet e mundur ofrimi i këtij shërbimi në qarkun e Korës.
 
“Është një projekt shumë inteligjent, pavarësisht gjithë tymnajave që dëgjojmë gjithë ditën, edhe me të cilat jemi mësuar, kjo është një zgjidhe që i kursen para buxhetit të shtetit edhe spitalit, edhe rrit standardin dhe cilësinë e shërbimit. Siç e tha edhe Ministri, ky grup pacientësh tani jo vetëm që e kanë më komod, e kanë me standard më të mirë edhe më pranë shërbimin, por mund ti kthehen jetës normale”,
u shpreh Peleshi.
 
Zëvendëskryeministri shtoi gjithashtu se “partneriteti publik-privat nuk është një fjalë e keqe, partneriteti publik-privat kur është inteligjent dhe i zgjuar, si në këtë rast, është një shërbim i mirë dhe më eficent dhe na kursen para për buxhetin e shtetit”.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike