Korçë - Mjeku kirurg që u arrestua dy ditë më parë pasi dyshohet se ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare është shtruar në spitalin e Korçës për shkak të problemeve shëndetësore.
Sipas informacioneve, mjeku ka patur më herët probleme nga zemra dhe nuk është ndjerë mirë në ambientet e komisariatit.
Ai është dërguar në urgjencë për kontroll dhe pas vizitës, ka rezultuar se ka probleme me zemrën.
Kirurgu po mbahet në monitorim ndërsa do të shihet në vijim edhe për masën e sigurisë të caktuar për ditën e nesërme e cila mund të zhvillohet në ambientet e spitalit.
Ndërkohë avokatja e së resë pretendon se ky është një rast i përsëritur. Sipas saj ngjarje të tilla janë kallëzuar që para 33-vitesh, teksa i fundit është bërë para një viti.
“Ne kemi marrë edhe disa denoncime të tjera, të cilat datojnë edhe para 33 vitesh, ndërsa i fundit është bërë 1 vit më parë, për të njëjtat raste abuzimi që doktori në fjalë ka kryer ndaj vajzave dhe grave të tjera. Është një rast i përsëritur.
Si ka mundur të integrohet dhe të qëndrojë për një kohë kaq të gjatë një mjek në sistemin spitalor, duke dhënë shërbime për individë të ndryshëm, për vajza dhe djem, në kushte të caktuara? Është një çështje shumë sensitive”, tha avokatja në një prononcim për mediat.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










