KORCË - Ekzekutohet me breshëri plumbash një person në fshatin Drenovë të rrethit të Korcës. Ngjarja u shënua rreth orës 02.00 pas mesnatës në një lokal në fshatin Drenovë, ku viktimë ka mbetur 46-vjeçari Vaso Lito. Sipas burimeve paraprake të policisë së Korcës, viktima ka qenë duke me shokët e tij në këtë lokal, kur një person i pamaskuar ka hyrë në ambjentet e barit dhe ka qëlluar disa herë me breshëri plumbash mbi trupin e 46-vjeçarit. 

Më pas ai është larguar me shpëjtësi me një automjet duke përfituar edhe nga errësira.  Menjëherë, Lito u transportua për në spitalin e Korçës për të marrë ndihmën e parë, por si pasojë e plagëve të marra nuk mundi të mbijetojë.

lokali ku ndodhi vrasja ne korce
(Foto: Lokali ku ndodhi vrasja në fshatin Drenovë)

Ndërkaq, policia konfirmon se nga hetimet e deritanishme janë përqëndruar në pistën e hakmarrjes, pasi 46-vjeçari Vaso Lito ishte person me precedent të mëparshëm penal për trafik droge. 

Policia e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes ka shoqëruar për në komisariat 15 persona të cilët kanë rastisur në ambjentet e lokalit të fshatit në momentin e krimit. Nga dëshmitë e tyre policia ka nisur kërkimet për personin i cili mbetet ende i paidentifikuar.
Kjo është vrasja e dytë në harkun kohorë të tre ditëve në rrethin e Korçës.

vrasja ne korce
(Foto: Gjaku i viktimës Vaso Lito pas ekzekutimit)

Pasditen e 5 nëntorit një 23 vjecar, Adriatik Bregu u ekzekutua po në një lokal në fshatin Libonik. Policia mundi të identifikojë autorin e krimit, si Donald Kreka 25 vjec, i cili është shpallur në kërkim nga policia.




(v.gj/shqiptarja.com)