Korçë- Një person ka hyrë me forcë brenda një banke të nivelit të dytë në lagjen nr.3 në qytetin e Korçës mbrëmjen e sotme, 21 dhjetor 2024. Policia e Korçës informon se rreth orës 22:04, personi ende i paidentifikuar ka shtyrë me forcë derën e jashtme të bankës.
Në momentin që ka hyrë brenda ka rënë sinjali dhe menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë. Shtetasi që kishte hyrë në ambientet e bankës porsa ka konstatuar Policinë është larguar me shpejtësi pa marrë asnjë gjë nga brenda bankës, informoi policia në mbrëmje vonë.
Burime nga policia bëjnë me dije se autori nuk ka qenë i maskuar, ka patur një kapele të vendosur në kokë.
Policia është shumë pranë identifikimit të autorit, ndërsa do të hetojë për të zbuluar nëse ka dashur të vjedhë lekë në bankë apo ka qenë person me probleme të shëndetit mendor ose i alkoolizuar.
Efektivët kanë rrethuar zonën ku dyshohet se është fshehur autori.
Personi që shihni në foton e siguruar nga Report Tv dhe Shqiptarja.com është shtetasi që hyri me forcë në një bankë të nivelit të dytë në qytetin e Korçës. Policia po punon për identifikimin e tij. Ngjarja u shënua rreth orës 22:04 të mbrëmjes së sotme.
Siç shihet edhe në foto personi nuk është i maskuar,në kokë mban një kapele ndërsa në dorën e majtë mban një telefon i cili është në pozicion për të filmuar në këtë rast “veten”.
Do jetë policia në orët në vijim që do të zbardhë të gjithë ngjarjen.