Policia e Korçës ka goditur dy 2 raste kundër dhënies ndihmë emigrantëve, për të kaluar kufijtë ilegalisht.
Në pranga kanë rënë 3 shtetas sudanezë, të cilët të organizuar si grup, ndihmuan 31 emigrantë për të kaluar ilegalisht, kufirin e gjelbër në PKK Kapshticë.
2 nga të arreatuarit të ndaluar gjatë operacionit “Rikthimi”, së bashku me 16 emigrantët që kishin ndihmuar, ishin fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Qatrom.
Ndërkohë njëri prej të arrestuarve, ishte dëbuar më parë nga Republika e Shqipërisë, pasi ishte ndaluar duke kryer të njëjtën veprimtari kriminale.
Njoftimi i plotë:
Si rezultat i hetimeve dhe punës operacionale intensive, të kryera me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë, kundrejt parave, emigrantëve që synojnë të shkojnë në mënyrë të kundërligjshme, në shtete të BE-së, u finalizuan në 24 orë, operacionet “Rikthimi” dhe “Itinerari”.
Gjatë operacionit “Rikthimi”, u vunë në pranga shtetasit H. A., 27 vjeç dhe M. H., 20 vjeç (i dëbuar më parë, nga Republika e Shqipërisë, pasi u ndalua për të njëjtin krim), sepse si rezultat i ndjekjes disaditore, nga shërbimet e Policisë Kufitare të DVKM Korçë, u kapën në një banesë të braktisur, në fshatin Qatrom, ku ishin fshehur për të shmangur shërbimet e Policisë, së bashku me 16 emigrantët që kishin ndihmuar për të kaluar ilegalisht, kufirin e gjelbër në PKK Kapshticë.
Gjatë operacionit “Itinerari”, i cili u zhvillua nga Policia Kufitare e DVKM Korçë në bashkëpunim me shërbimet e DVP Korçë, u kap dhe u vu në pranga shtetasi M. H., 30 vjeç, pasi dyshohet se ka ndihmuar 15 emigrantë, për të kaluar ilegalisht, kufirin e gjelbër në PKK Kapshticë. Emigrantët u kapën në territorin e fshatit Drenovë.
Punohet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të përfshirë në këto raste.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Komente












