Një automjet është përfshirë nga flakët afër një karburanti në Korçë. Zjarri ka rënë në hyrje të qytetit.

Nga flakët janë lënduar 4 persona, identiteti i të cilëve nuk dihet, të cilët janë dërguar në spital, dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në njoftimin zyrtar policia ka publikuar vetëm inicialet e të lënduarve: D.M, (punonjës i karburantit); drejtuesja e mjetit V.D; J.O dhe F.D.

Makina ishte me impiant gazi dhe dyshohet se zjarri ka ardhur aksidentalisht për shkak të një cigareje të ndezur nga drejtuesja e mjetit.

Njoftimi i policisë:

Korçë
Informacion paraprak.

Më datë 27.12.2018, jemi njoftuar se në lagjen nr 9, ka rënë zjarr në mjetin tip “Benz” me targa AA575PT, në pronësi të shtetases V.D, i cili ka qenë i ndaluar pranë një karburanti.

Për pasojë kanë marrë dëmtime shtetasi D.M, (punonjës i karburantit) drejtuesja e mjetit V.D, shtetasja J.O dhe shtetasi F.D, që ndodheshin brenda në mjet, të cilët u dërguan për ndihmë mjekësore në Spitalin e Korçës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Paraprakisht dyshohet se në mjet ka pasur rrjedhje gazi dhe zjarri mund të ketë rënë aksidentalisht, nga ndezja e një cigareje nga drejtuesja e mjetit.

Grupi hetimor po punon për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe përcaktuar shkaqet e rënies të zjarrit.