KORÇË - Mungesa e një tregu të mirëfilltë detyron dhjetëra tregtarë të fshatit Pirg të shesin prodhimet e tyre përgjatë segmentit rrugor Korçë-Pogradec. Prej mëse katër vitesh mbi 80 tregtarë dalin çdo ditë anës rrugës duke ekspozuar prodhimet e tyre, ndërsa jeta e tyre në çdo moment ndodhet në rrezik.

Sipas tregtarëve askush nuk interesohet për t’iu siguruar një treg ku mund të shesin prodhimet bujqësore, por detyrohen ti shesin ato buzë rrugës ku shpesh herë janë kërcënuar nga shpejtësia e automjeteve të cilat qarkullojnë në këtë aks nacional.

Tregtarët thonë se kjo është e vetmja e ardhur për familjet e tyre. Ata theksojnë se më herët ekzistonte një treg ku ata tregtonin prodhimet e tyre, por tashmë është kthyer në pronë private duke i lënë në mëshirë të fatit.

Në aksin Korçë-Pogradec janë mbi 110 tregtarë të cilët çdo ditë qëndrojnë buzë rrugës për të shitur prodhimin e tyre, ndërsa marrin mbi supe rrezikun e jetës dhe koston e prodhimeve.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)