KORCE- Një 28 vjeçare në muajin e 4-të të shtatzanisë është shtruar në spital pasi është dhunuar nga bashkëshorti i saj. Mësohet se Rudina Iliazi i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, dhe fëmija është jashtë rrezikut për jetën.

Mjekët thonë se gruaja e dhunuar ka plagë në kokë. Pas dhunës policia arrestoi autorin në flagrancë . Olsi ishte emigrant në Itali dhe prej 3 muajsh ishte kthyer në shtëpinë e tij në lagjen nr 8 të qytetit të Korçës.

“Pas një konflikti për motive të dobëta (grindje familjare), ka ushtruar dhunë fizike mbi bashkëshorten e tij 28 vjeçaren R.Iljaz, duke e goditur këtë të fundit me mjete të forta në pjesë të ndryshme të trupit dhe të kokës”- informon policia.

Kryeinfermieri i Spitalit të Korçës, Mihallaq Pondi tha se përveç plagëve e reja ka pasur dhe tronditje në tru. Ajo është goditur fort me dru, bën të ditur korrespondetja në Korçë Dafina Ismaili.

 Familjarët thanë se shkak i konfliktit kishte qenë vjehrra, mamaja e Olsit. Ndaj autorit të ngjarjes rëndon vepra penale “Dhuna ne familje” parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal. Ky është krimi i dytë brenda 3 ditësh kur dy gra shtatzënë dhunohen barbarisht. Manushaqe Çeliku 6 muajshe shtatzënë u vra me sqepar nga bashkëshorti i saj në Orikum të Vlorës. Krimi ndodhi në sy të dy vajzave të tyre të mitura, ndërkohë që për dy netë Shpëtim Çeliku me vajzat kishte fjetur në të njëjtin krevat me bashkëshorten e tij të vdekur të cilën e kishte masakruar me sqepar.

(Redaksia online)
(sg/shqiptarja.com)