KORCE- Për një ekzaminin në skaner pacientët e rajonit juglindor tashmë janë të detyruar të shkojnë në klinika private apo në kryeqytet dhe kjo për shkak të mosfunksionimit të skanerit në Spitalin Rajonal të Korçës.
 
Prej mëse dy muajsh aparati i skanerit nuk funksionon dhe kjo si pasojë e një defekti në aparat, dhe ende nuk dihet se kur do të vihet në punë.
 
Sipas shefit të Imazherisë pranë këtij spitali, Gjergji Denasi, për defektin e skanerit është dërguar një kërkesë pranë ministrisë së Shëndetësisë për riparimin e këtij defekti, por ende nuk është kthyer një përgjigje se kur do të riparohet.
 
Jashtë kamerës së “A1 Report” pacientët janë shprehur të shqetësuar, pasi ata janë të detyruar të shkojnë në klinika private për ekzaminimin në skaner dhe sipas tyre kjo kushton shumë shtrenjtë për ta.
 
Ndërkohë, mësohet se dëmi i shkaktuar nga defekti në llambën e aparaturës së skanerit kap shifrën prej nëntë milionë lekë të reja.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)