KORCE - Seanca gjyqësore për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj Edison Kordallit, i akuzuar nga prokuroria për vrasjen e Et’hem Hënës është shoqëruar me tension dhe kaos paraditen e sotme në Gjykatën e shkallës së Parë të Korçës.

Gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore 35 vjecari ka mohuar të jetë autor i krimit, ndërkohë që i ka kërkuar trupit gjykues dhe shtetit të gjejë vrasësin e vërtetë dhe atë ta lenë të shkojë pranë familjes.

Edhe familjarët e 35 vjeçarit deklaruan se djali i tyre nuk është vrasësi dhe po mbahet në burg padrejtësisht. Tensioni është rritur në momentin kur gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg, e njëjta masë sigurie e kërkuar edhe nga prokuroria. 

"Nuk e kam vrarë unë Et’hemin.Nuk jam unë autori. I kërkoj shtetit të gjejë autorin e vërtetë. Më lini të shkoj pranë familjes dhe tre fëmijve. Kërkoj të shikoj bluzën me të cilën më akuzon prokuroria"- deklaroi Edisoni para trupit gjykues.
edison kordalli
(FOTO: Edison Kordalli në gjykate, i akuzuari për vrasjen e Ethem Henes)

Menjëherë pas dhënies së masës së sigurisë nga trupi gjykues, familjarët janë revoltuar kundër vendimit të gjykatës, duke bërtitur dhe hedhur karriget në sallën e gjyqit. Revolta e familjarve të Edison Kordallit ka vazhduar për disa minuta dhe jashtë sallës së gjyqit, në ambientet e gjykatës, ku disa prej tyre kanë rënë në gjendje të fikët.

“Djali është i pafajshëm, gjeni fajtorët, gjeni vrasësin. Po merrni në qafë djali”- deklaronin familjarët në seancë gjyqësore, të cilët reagonin duke bërtitur dhe duke përplasur karriget. 

PROVAT NE GJYKATE

Prokuroria pretendon se provat e mbledhura në vendin e ngjarjes si dhe nga bluza e Edisonit janë të mjaftueshme për të mbajtur në arrest me burg 35 vjeçarin, si autor i akuzuar për vrasjen e ndodhur më 27 tetor. Ndërsa avokati mbrojtës i të dyshuarit,Nevzat Tarelli kërkoi  lirimin e menjëhershëm të 35 vjecarit, pasi sipas tij provat e paraqitura nga prokuroria janë të pamjaftueshme. Nga ana e tij Kordalli kërkoi të shikonte bluzën me të cilën e akuzon prokuroria.

Edison Kërdalla akuzohet për vrasjen e ndodhur më 27 tetor në fshatin Vloçisht. Viktima Ethem Hëna punonte si roje nate në lokalin e të birit. Policia e qytetit juglindor u njoftuar mëngjesin e 27 tetorit për plagosjen e Et’hem Hënës i cili më pas ndërroi jetë në sptial. Lokali ishte dhe një pikë lotarie dhe një pistë hetimi është se vrasja mund të ketë lidhje pikërisht me këtë aktivitet.  Viktima dhe i arrestuari janë komshinj.

(sg/shqiptarja.com)