Edukatores së kopshtit publik numër 6 në Korçë, e arrestuar disa ditë më parë, pasi dyshohet se ka keqtrajtuar një fëmijë 4-vjeçar, i është caktuar masa e sigurisë “Detyrim paraqitje”. Gjithashtu, është vendosur pezullimi i saj nga detyra.

Vendimi u mor mesditën e sotme, gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë. Pas këtij vendimi, edukatorja do të hetohet në gjendje të lirë.

Ajo u arrestua pas kallëzimit të bërë nga nëna e të miturit, i cili i kishte treguar se goditej nga edukatorja. Pas denoncimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kryen veprimet hetimore, përfshirë këqyrjen e pamjeve filmike.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë