KORÇË - Një 53-vjeçar u arrestua nga policia në Korçë pasi u kap me disa doza kokainë. Policia njofton se bëhet fjalë për 53-vjeçarin Ardit Hornallin.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, iu gjetën disa doza kokainë të mbështjella me letër alumini dhe gati për shitje.
Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhe një peshore elektronike, një armë sportive, dy armë të ftohta dhe dy suportera kartash sim.
"Forcat e Policisë, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. H., kanë gjetur disa doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë gati për shitje, letër alumini e bërë gati për përgatitjen e dozave, një sasi përzierësi, një peshore elektronike, një armë pistoletë sportive, dy armë të ftohta dhe dy suportera kartash Sim, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale" - njofton policia.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. H., 53 vjeç (me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit).
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Mbajtja pa leje e armëve sportive", "Mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta".