Joan Zuko, 20-vjeçari i cili u vra pasditen e së shtunës në Korçë nga bashkëmoshatari i tij dhe shok i fëmijërisë, Kristjan Sterjo. Për ngjarjen ka reaguar edhe klubi i Skënderbeut pasi bën me dije se i riu kishte qenë më herët futbollist i akademisë dhe më pas një nga tifozët më të zjarrtë.
Gjatë kohës kur ishte aktiv në klub, Zuko luante me ekipet e moshave, në pozicionin e portierit.
“Ndarje e parakohshme nga jeta e Joan Zukos
Klubi i Futbollit Skënderbeu shpreh dhimbjen dhe ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen e parakohshme nga jeta të Joan Zukos, ish-futbollist i Akademisë së Skënderbeut dhe një tifoz i zjarrtë i ngjyrave bardhekuqe.
Joani ishte pjesë e familjes sonë, fillimisht si futbollist i akademisë dhe më pas si një nga ata tifozë që e mbajnë Skënderbeun në zemër. Në këto momente të vështira, i shprehim ngushëllimet familjes, të afërmve dhe miqve të tij. Prehu në paqe, Joan! Do të mbetesh gjithmonë pjesë e familjes bardhëkuqe”, shkruhet në postimin e Skënderbeut.
20-vjeçari Joan Zuko ishte mobilizuar si ushtar me rrogë prej më shumë se një viti dhe vetëm dy muaj më parë kishte lënë detyrën pasi do shkonte tek i vëllai në Angli.
Sipas dëshmisë së vrasësit, shkak për konfliktin mes tyre ishte përplasja për dominancë dhe pretendimet se kush ishte “më i forti” i lagjes. Dy të rinjtë dyshohet se kishin shkëmbyer vazhdimisht provokime, sharje dhe ngacmime, ndërsa vetëm disa ditë përpara vrasjes kishin pasur një tjetër konflikt verbal.
Në dëshminë e tij, Sterjo ka pretenduar se situata ishte acaruar më tej edhe për shkak të ngacmimit të së dashurës së tij nga viktima, pistë që është në verifikim nga policia.
Pasi e vrau me një plumb kallashnikovi në katin e tretë të një pallati, autori u arratis dhe për disa orë, forcat RENEA e policia u aktivizuan për gjetjen e tij. Ai u arrestua rreth orëve të vona të po asaj mbrëmjeje, në afërsi të banesës së tij.
Sterjo rezulton me precedent penal për plagosje me thikë e armëmbajtje pa leje.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.












Komente
Komento