KORÇË - Pas dhjetëra seancash gjyqësore çështja penale ndaj Sotiraq Xegës është pushuar sot nga gjykata e Korçës.

Vendimi është marrë gjatë ditës së djeshme, me arsyetimin se kanë kaluar afatet e hetimit ndaj ish-përgjegjësit të Galerisë “Guri Madhi”, në Korçë.

Një seancë më parë, prokuroria e Korçës, kishte kërkuar dënimin me 18 muaj burg për Xegën, pasi e akuzon për “Shpërdorim detyre” në kohën kur ishte përgjegjës i galerisë.

Në vendimin e gjykatës thuhet se, “janë shkelur afatet e hetimit të kësaj çështje”. Ndërkaq menjëherë pas vendimit të gjykatë ka reaguar edhe Xega, i cili ka deklaruar se është i pafajshëm dhe se, faji i tij i vetëm është se ka punuar pa pagesë. “Faji im është vetëm se kam punuar pa pagesë.

Galeria është hapur tre herë në të cilën ruheshin 110 vepra arti. Ia kam dhënë çelësat vetë ish-kryetarit të Bashkisë Niko Peleshi duke i kërkuar që të pyeste drejtorin e Galerisë, Vladimir Topi për zhdukjen e pikturave.

“Unë jam i pafajshëm dhe kërkoj hetim se kush i ka marrë pikturat. Faji im është vetëm se kam punuar pa pagesë. Galeria është hapur tre herë në të cilën ruheshin 110 vepra arti. Ia kam dhënë çelësat vetë ish-kryetarit të Bashkisë Niko Peleshi duke i kërkuar që të pyeste drejtorin e Galerisë, Vladimir Topi për zhdukjen e pikturave” -ka thënë gjatë fjalës së tij, Sotiraq Xega.

Në galerinë “Guri Madhi”, në Korçë kanë humbur më shumë se 60 piktura, shumica prej të cilave i përkasin piktorit të njohur Vangjush Mio. Momentalisht ende nuk dihet se, ku kanë përfunduar këto piktura.

Në valën e parë të hetimit të kësaj çështje, policia e Korçës bllokoi një mijë piktura të piktorit Sotiraq Xega, ish-përgjegjësit të Galerisë së Artit "Guri Madhi".

Ky veprim u ndërrmor si pasojë e hetimit që policia bëri për zhdukjen e 61 pikturave, midis tyre 27 të artistit Vangjush Mio.

Pikturat u gjetën gjatë kontrollit që policia bëri në banesën e Xegës në Drenovë dhe për to u ngrit një komision në përbërje, të cilit në fund konkluduan se asnjë nga pikturat nuk ishin të galerisë së Artit “Guri Madhi”.

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)