TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim ka dalë me një plan të ri masash ekonomike, veçantë nga Partia Demokratike, për të përballuar pasojat nga koronavirusi. LSI i propozon qeverisë 7 masa ekonomike, ku pika e përbashkët me PD-në është heqja e taksave vendore për biznesin e vogël. LSI propozon që shtyhet të paguajë pagën e punonjësve të cilët nuk mund të punojnë për shka se është mbyllur puna, por sipas tyre jo 100% siç demokratët kërkojnë, por 80%.

Njëjtë edhe për pagesën e siguracioneve të këtyre punonjësve. Nga ana tjetër, në këtë plan masash të LSI-së janë përfshirë edhe studentët dhe fermerët. Për studentët kërkojnë subvension të të gjithë pagesave të palikujduara si detyrime për  vitin shkollor 2019 - 2020 dhe të fermerëve që kanë pasur pasoja nga masat e marra për koronavirusin. LSI kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, teksa nuk i kanë kursyer akuzat se po shkelet Kushtetuta.

"Së pari jemi këtu për të kërkuar publikisht që ti jepet fund abuzimeve me ligjet dhe me Kushtetutën e vendit, pasi e gjithë situata po zhvillohet në një abuzivizëm ligjor dhe shtetëror të pashembullt. Kushtetuta dhe ligji janë zëvendësuar nga komunikimet në Facebook dhe në Tëitter, vendimet e qeverisë janë kthyer në vendime Facebook-u dhe Kushtetuta është shkelur dhe nëpërkëmbur. Të gjitha masat e marra janë masa që kanë të bëjnë dhe përputhen vetëm me gjendjen e jashtëzakonshme dhe me detyrimet që kjo gjendje e jashtëzakonshme imponon. Kryeministri i vendit nuk ka kërkuar dhe s’ka ndërmarrë asnjë hap për ta shpallur këtë gjendje të jashtëzakonshme, ndërkohë që kufijtë e Shqipërisë janë mbyllur, kufizimet e lëvizjes së mënyrë absolute dhe drastike, deri në kufijtë e një shtetrrethimi të vërtetë funksionon në të gjithë vendin dhe gjithçka bëhet nga frengjia e Facebook-ut të Surrelit të kryeministrit. Shteti ndodhet në këtë lloj situate, pandemi, gjendje lufte, situatë e jashtëzakonshme ciladoqoftë, funksionon me ligje, me rregulla, me Kushtetutë dhe në mënyrë kolegjiale. Detyrimi i shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, por edhe akteve nënligjore që burojnë prej saj është një detyrim", thuhet në deklaratë.

Ata kanë publikuar edhe një mesazh, sipas së cilëve u është dërguar mjekëve, ku u kërkohet që të sigurojnë në mënyrë personale mjetet mbrojtëse. "Përshëndetje, mungesa e maskave rezulton të jetë një problem ndërkombëtar, pra e vlerësojnë këto drejtoritë lokale problemin ndërkombëtar,  dhe duke qenë kështu është e pamundur që të sigurohet plotësimi i kërkesave të qendrave shëndetësore, me një udhëzim të operatorit rajonal shëndetësor ju lutemi të gjithë personelit shëndetësor që të sigurojnë maskat vetë në kushte shtëpie duke përdorur material të ndryshme si  çarçafë apo garza të qepura vetë me dorë, nga drejtoria përkatëse, ju lutem ky informacion të shpërndahet në të gjithë stafet e qendrave shëndetësore", thuhet në mesazhin e publikuar nga LSI-ja. 

Mesazhi i publikuar nga LSI-ja

Plani i masave ekonomike të LSI-së
1.Heqja e taksave lokale për të gjitha bizneset e familjet duke filluar nga muaji mars dhe për gjatë gjithë kohëzgjatjes së kufizimeve për shkak të karantinës.
2.Garantimi i Pagesës me vlerë 80% për të gjithë personat, që janë në punë, por nuk mund të punojnë dhe për pasojë nuk paguhen për arsye të mbylljes së aktivitetit të sipërmarrjes ku ata punojnë për shkak të karantinës, përfshirë edhe të gjithë ushtruesit e profesioneve të lira.
Pagesat të kryhen në numrat e llogarisë së të punësuarve.
3.Te rimbursohen nga shteti sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të kategorive të punonjësve të trajtuar me 80% të pagës, për të gjithë periudhën në të cilën këta punonjës do të jenë pa punë për shkak të karantinimit dhe kohës që do t’i duhet biznesit për të rikthyer aktivitetin e biznesit të tyre në punë.
4.Subvencionim për të gjithë fermerët prodhimet e të cilëve nuk mund të shiten për arsye të bllokimit të transportit apo të pamundesisë së sigurimit të imputeve bujqësore dhe për pasojë mos realizimit të prodhimit bujqësor. AZHBR duhet të bëjë një disbursim me procedura të përshpejtuara për çdo fermer.
5.Subvencionim të të gjithë pagesave, të palikujdura studentëve si detyrime për  vitin shkollor 2019 - 2020.
6.Shtyrje e pagesave të TVSH si dhe tatimeve të bizneseve për një periudheë më të vonë, në vleresim të kohezgjatjes së karantinës, por jo më parë se muaji qershor.
7.Për të gjithë ata qytetarë që janë të rregjistruar në asistencë si dhe për pensionistët, shteti të marrë përsipër rimbursimin e faturave të energjisë dhe të ujit.