TIRANË - Nga sot, pas orës 18:00 nuk do të lejohet lëvizja me këmbë në të gjithë Shqipërinë. Kryeministri Edi Rama tha se nga dita e nesërme do të hyjë në fuqi gjoba edhe për këmbësorët dhe ata që ulen në parqe apo mjedise të hapura, por pa bërë të ditur se sa do të jetë kjo vlerë gjobe. 

"Duke nisur nga sot, çdo ditë në vijim pas orës 18.00 do të ndalohet edhe lëvizja me këmbë në të gjithë territorin e republikës së Shqipërisë!

Nga nesër, me urdhër të ministres së Shëndetësisë do të hyjnë në fuqi gjoba edhe për këmbësorët dhe për ata që ulen në parqe apo mjedise të tjera të hapura!

Ndjesë 1000 herë po s’ka rrugë tjetër për ta fituar këtë luftë, ku askush përveç atyre që shërbejnë në strukturat kritike të shtetit dhe atyre që punojnë në hallkat themelore të zinxhirit ekonomik të vendit, nuk duhet të dalë nga shtëpia përveçse për nevojat bazë të furnizimit me ushqim apo ilaçe!

Shëtitjet nuk janë domosdoshmëri jetike në këtë kohë lufte dhe uljet nëpër parqe janë të palejueshme! Më shani e talluni me mua sa të doni, s’ka asnjë problem, po mos diskutoni dhe aq më keq thyeni rregullat! I love you Frikë aspak, po kujdes po! deri në fund! Kjo nuk është lojë kukamçemthi që mbaron kur duam ne, po luftë që ne do ta fitojmë vetëm duke i bëre me vullnet të hekurt të gjitha këto që nuk duam!", shkruan Rama në Facebook.

Një masë drastike kjo që vjen pas bllokimit të qarkullimit të automjeteve në të gjithë Shqipërinë, ku lejohet vetëm lëvizja vetëm në dy orare për ata që shkojnë në punë. në mëngjes deri në 08:00 dhe pasdite 16:00-17:00.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:53
Rama: Pensionistëve do u ndalohet të dalin nga shtëpia! Pazaret do ua bëjnë fëmijët ose Bashkia

Nisur nga fakti se të moshuarit kanë qenë më të pabindur për të zbatuar vetëkarantinimin, edhe pse janë më të rrezikuarit, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se atyre do t'u ndalohet me detyrim dalja jashtë shtëpisë. Një masë shumë e vështirë, shprehet kryeministri Edi Rama, por e domosdoshme për të parandaluar një bilanc të rënduar. Të gjitha blerjet jetike do të duhet të bëhen nga fëmijët e tyre, e ndërsa për ata që i kanë jashtë qytetit do të kujdeset Bashkia dhe qeveria.

"Po përgatitemi për ndalimin total të daljes së pensionistëve nga shtëpia, deri kur kjo luftë të mbarojë! Nuk mund të presim më ndërgjegjësimin e asaj pakice që vazhdon sfidon rregullat, duke vënë në rrezik shumë serioz veten dhe të tjerët! Pensionistët kryefamiljarë në qytete duhet të shërbehen me vajtje-ardhjet për shpezat ushqimore dhe farmaceutike nga fëmijët e tyre. Ata që nuk i kanë fëmijët në të njëjtin qytet, do të shërbehen nga shteti përmes skuadrave të përbashkëta të bashkive dhe qeverisë!

Të gjitha bashkitë në bashkëpunim me ministrinë e shëndetësisë e mbrojtjes sociale, ministrinë e mbrojtjes, ministrinë e brendshme, institutin e sigurimeve shoqërore, shërbimin social shtetëror dhe agjencinë kombëtare të teknologjisë së informacionit, janë në punë për planin e mbështetjes në shtëpi të pensionistëve kryefamiljarë në çdo qytet! I lutem çdo biri dhe bije prindërish të moshuar, bëni të pamundurën të mbani në shtëpi babain e nënën tuaj, gjyshin e gjyshen e fëmijëve tuaj! T’i lesh të dalin është njësoj si t’u hapësh derën të shkojnë për të marrë pjesë në një bombardim! O zot çfarë sikleti ta thuash: Mos u jepni dorën dhe rrini tek dera në distancë kur u çoni ushqimet apo ilaçet në shtëpinë e tyre më vete! Kudo ku e keni të mundur në shtëpitë tuaja, mbajini në dhomë më vete!

Që t’i përqafojmë fort nesër dhe t’i kemi sa më gjatë pranë nesh, duhet t’i izolojmë sot nga çdo kontakt i mundshëm, me botën po e po, por edhe me vetë ne, që as dorën nuk duhet t’u japim dhe as pragun nuk duhet t’ua shkelim kur u çojmë ushqimet a ilaçet tek dera! Ndjesë 1.000.000 herë kjo ishte më e vështira që duhet të nxirrja nga goja dhe s’do doja kurrë të isha unë që duhet ta bëja këtë, por s’kam si ta mbaj për vete, kur s’ka absolutisht as edhe një rrugë tjetër! Kur themi frikë jo, kujdes po, fjala kujdes në këtë luftë ka fytyrën e prindërve tanë!", tha Rama.