Koronavirusi/ Rama: Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve do të kthehet në karantinë! Në asnjë vend të botës ajo nuk vendoset në male (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka treguar se karantina do të vendoset në shtëpinë e pushimit të Ushtarakëve në Durrës. Ai tha se në asnjë vend të botës karantina nuk vendoset larg zonave të banuara.

"Komiteti Teknik ka vlerësuar disa struktura publike spitalore dhe akomoduese si të përshtatshme për karantinën. Është për të ardhur keq që në ndërkohë që kudo bëhet politikë, kudo ka debat, askund tjetër, përveçse në këtë vendin tonë të vogël, nuk ndodh që palë të caktuara politike dhe individë të zëshëm, me mandat politik, të bëjnë ato që kanë bërë gjatë këtyre ditëve, duke u përpjekur haptazi të përhapin panik dhe duke dezinformuar haptazi publikun, qoftë përsa i përket vendeve apo vendit të përcaktuar për karantinën, qoftë përsa i përket kushteve dhe impaktit të një zone të karantinuar, të një mjedisi të karantinuar, për popullatën rreth e rrotull. Askund, në asnjë pikë të globit nuk ekziston që karantinat të ndërtohen nëpër male, nëpër pyje, apo në facilitete larg zonave të banuara. Kjo nuk ekziston. Kjo është një shpikje në vazhdën e ushqyerjes së infodemisë.

Në rastin e parë, të vendosjes së karantinës, ne kemi përcaktuar disponimin e strukturave akomoduese publike të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes në zonën e Durrësit, ku me OBSH-në është konstatuar përmbushja e të gjitha kushteve dhe garancia për siguri të plotë për të gjithë. 

Shërbimi i sëmundjeve infektive në qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza dhe Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” kanë në gatishmëri bokse, dhoma izolimi funksionale dhe struktura në dispozicion për nevojë terapie intensive, sipas kanaleve të miratuara nga Komiteti i Ekspertëve dhe gjithnjë të konfirmuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Urgjenca Kombëtare Mjekësore ka marrë masat për të përballuar mbi 5 mijë thirrje në ditë. Momentalisht pret 1700 të tilla, si dhe kryen gjithë organizimin territorial për ndjekjen e rasteve që i referohen numrit unik 127.

Vazhdimësia e rekomandimit për të gjithë qytetarët që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e urgjencës kombëtare, 127, në rast se ndjejnë një shqetësim, apo përballen me shfaqjen e shenjave klinike që ju krijojnë atyre idenë se mund të jenë të prekur, pa u drejtuar menjëherë në spital, për të minimizuar qoftë riskun e infektimit me viruse të tjera qarkulluese për ata vetë e duke pasur garancinë se mjafton telefonata për t’u asistuar aty ku ata ndodhen.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kanë nxjerrë urdhrin për masat e shtuara higjeno-sanitare në institucionet arsimore, si një masë shumë e rëndësishme në këtë situatë, ku rritja e higjienës personale është faktor i rëndësishëm për kufizimin e sëmundjeve infektive.

Në këtë situatë, me përhapjen komunitare të koronavirusit në disa shtete janë rekomanduar qytetarët të kufizojnë udhëtimet jo të domosdoshme në zonat e prekura, ku ekziston rreziku i transmetimit komunitar.

Thënë të gjitha këto fakte, dua ta mbyll, duke përfituar nga mundësia për të komunikuar me të gjithë që na ndjekin, me shprehjen e nevojës për qetësi dhe për të mos e lënë veten të çoroditemi nga burimet e infodemisë, nga debatet absurde të mbrëmjeve mediatike, që nuk ndodhin në asnjë vend të botës, nga klikimet në burime të absurditetit informativ që në papërgjegjshmëri të plotë shpërndajnë lajme të rreme dhe rrisin efektin shumë të rrezikshëm të infodemisë, duke krijuar ankth dhe panik. Të gjithë jemi këtu, të gjithë jemi me familje, të gjithë kemi fëmijët tanë, kemi më të moshuarit dhe unë ju them të gjithëve, ndiqni vetëm burimet e informimit zyrtar, ballafaqohuni me burimet e informimit zyrtar. Burimet alternative të informimit në një rast si ky janë të pakëshillueshme, jo nga unë, por nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ka një sërë të dhënash të deritanishme që e bëjnë pak më të lehtë përballimin psikologjik të kësaj situate që natyrshëm u krijon ankth dhe krijon pasiguri për veten, për fëmijët, për të moshuarit, për të afërmit. Është një virus që prek kryesisht ata që janë shumë të moshuar dhe ata që kanë probleme shëndetësore ekzistuese. Është një virus që përballohet pa pasoja dramatike përgjithësisht nga më të vegjlit dhe nga ata që kanë një organizëm të shëndetshëm. Gjëja që nuk është thënë askund në të gjitha burimet e infodemisë është fakti i konfirmuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që 97% deri më tani, statistikisht, e të prekurve shërohen. Pra, nuk jemi përpara një murtaje mesjetare që ka ardhur të fshijë nga faqja e dheut gjysmën e njerëzimit. Jemi përpara një virusi me potencial rreziku të konsiderueshëm. Nuk kemi nënvlerësuar asgjë nga ato që na takojnë të bëjmë, deri në detajin më të vogël.

Në fund fare, edhe pak më shumë besim, sepse është i nevojshëm dhe më mirë t’i referohemi pikave ku marrim besim, sesa pikave ku marrim helmim. Besim, në kuptimin e të vërtetës së thjeshtë që si të gjitha të tjerat, edhe kjo do të kalojë dhe do ta kalojmë sëbashku, me ndërveprim, me solidaritet, me kujdes maksimal nga ana jonë si qeveri, me përkushtim maksimal nga ana e profesionalistëve të përfshirë dhe me besim.

Prandaj, ju sugjeroj që më mirë të mbyllni kompjuterët, të mbyllni telefonat e të dëgjoni Papa Franceskun, t’i referoheni Biblës apo Kuranit, sesa të humbisni kohë me lloj – lloj marrëzish e lloj – lloj poshtërsish, që njerëz pa asnjë përgjegjësi sociale dhe me një ligësi organike shpirtërore shpërndajnë, duke bërë atë që është çnjerëzore përveçse nga pikëpamja profesionale, nga pikëpamja faktike, krejtësisht e padobishme", tha Rama.


Lajmi kryesor:

Koronavirusi/ Rama zbulon: Konvaleshenca e ushtarakëve në Durrës do të kthehet në karantinë (VIDEO)


  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë