Në letrën që Erion Veliaj publikoi nga burgu i Fierit, shprehej se kryeministri Edi Rama i ka kërkuar të pranojë përfshirjen në protesta ose do t’i rëndojë akuzat duke i përfshirë edhe shkeljen e rendit kushtetues. Sipas Kreshnik Spahiut, kjo lloj vepre penale s’është e paqëllimshme pasi është e vetmja që nëse provohet, sjell shkarkimin e kryetarit të Tiranës, thotë ai në “Repolitix” në Report Tv.

“Kemi dy iniciativa ligjore, një të kryeministrit dhe një të Erion Veliajt. Ajo e kryeministrit është për transferimin nga burgu i Fierit me pretendimin se ka shkelje të rendit kushtetues dhe ka prova për implikim në bashkëpunim me protestat e dhunshme. Nëse kjo është e vërtetë, nuk është e paqëllimshme. Është e vetmja vepër penale që mundëson shkarkimin e një kryetari bashkie, shkelja e rendit kushtetues dhe Kushtetutës përbën shkak ligjor për të shkarkuar një kryetar bashkie dhe nëse provat ekzistojnë, i lind e drejta e shkarkimit, nëse gjithmonë ekzistojnë përgjimet telefonike apo mesazhet. Nuk është e paqëllimshme”, shpjegoi Spahiu.

Ajo që do ta tregojë këtë pretendim janë mesazhet dhe përgjimet telefonike (nëse do të ketë të tilla në ditët në vijim), të cilat do të tregonin lidhjen e cilësuar në letër, vijoi juristi.

“Erion Veliaj ka një iniciativë ligjore që i shërben në GJEDNJ që ta ekspozojë këtë proces penal si një proces politik, si diskriminim politik dhe t’i japë mundësinë atij të shkojë drejt pafajësisë. Janë dy versione antagoniste. Nëse është e para, duhen pritur ditët në vijim a do të dalin mesazhe dhe përgjime telefonike për bashkëpunim të Veliajt me protestuesit dhe a do të nisë procedimi për shkarkimin e kryetarit të bashkisë që mund të konsiderohet pengesë për zgjedhjet lokale”, tha Spahiu.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:25
Spahiu: Veliaj e ka 100% gabim! Balluku dhe Rama nuk e ndihmojnë dot në SPAK sepse s’kanë ndikim

‘Fajtorët’ e paraburgimit të Erion Veliajt nuk janë as kryeministri Edi Rama e as Belinda Balluku, thotë Kreshnik Spahiu në “Repolitix” në Report Tv. Sipas tij, akuzat për të cilat Veliaj ndodhet në burg, nuk lidhen me asnjërin prej të dyve.

Në këndvështrimin e Spahiut, Partia Socialiste nuk ka asnjë ndikim mbi Prokurorinë apo Gjykatën e Posaçme.

“Erion Veliaj e ka 100% gabim. Erion Veliaj gabon kur mendon që është në burg nga Edi Rama dhe Balluku. E ka shumë gabim kur mendon që nuk po e liron Rama dhe Balluku. Rama dhe Balluku nuk po zgjidhin dot hallet e veta. Erion Veliaj është aty për shkak të ca akuzave që s’kanë lidhje fare as me Ramën, as me Ballukun. Ka drejtpërdrejt disa akuza që vetë ai ka ndërtuar edhe padi të drejtpërdrejta për prokurorët e SPAK. Asnjëherë nuk e kam kuptuar çfarë interesi ka Erion Veliaj, qoftë politik, qoftë juridik që të shpërndajë luftën dhe të bëhet kundër të gjithëve. Edhe urën e fundit që kishte, PS, ai po e humb. Ndoshta e kishte humbur me kohë, por unë jam nga ata që mendojnë se nuk e kanë ndihmuar dot dhe nuk e ndihmojnë dot sepse PS është e gjitha me probleme, është e pafuqishme në SPAK e GJKKO. Historia ka treguar që 5-6 vitet e fundit PS ka mbaruar 0 hall në SPAK e GJKKO. Si ka mundësi që lideri nr. 2 i kësaj partie të ketë një qasje kaq të gabuar?”, tha Spahiu.