Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj në një lidhje me Skype për Report Tv në emisionin 'Repolitix' u bëri një tjetër apel qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe kur të dalin të ruajnë distancën sociale. Veliaj tha se 90% e qytetarëve i kanë respektuar rregullat dhe urdhrin, ndërsa duhet të bindim edhe pjesën tjetër.  "Shqiptarët mbi 90% kanë respektuar urdhrat dhe distancën sociale, por ka edhe një pjesë që nuk bindet dhe mundohet që me disa mentalitete tradicionale si 'nuk më gjen gjë  mua'.... Po u sollën secili sikur të jetë i infektuar dhe bartës të bindë edhe atë % të qytetarëve që po rebelohet, duhet të jemi të gjithë bashkë dhe ta fitojmë këtë betejë" tha ai.

Të moshuarve dhe familjeve në nevojë, tha Erion Veliaj, do u dërgohet në shtëpi ushqimi i përcaktuar për kopshtet dhe çerdhet, pasi këto të fundit janë mbyllur. "Përsa i përket shtresave në nevojë, po zhvillohet një operacion i jashtëzakonshëm. Po çojmë ushqimet te të moshuarit, përveç databaze si bashki, na është shtuar edhe një kontigjent i prindërve që jetonin me fëmijët, por mund ti kenë në karantinë në vendet e tjera. Ne kemi sot të gjithë kapacitetin për të çuar këto vake.

Kemi një situatë edhe për ata që janë në çadër apo kontenier. Sot kemi pasur shpërndarje në zonat e fshatrave. Duam që i gjithë fondi ushqimor që shkonte për kopshtet dhe çerdhet të transferohet për familjet në nevojë, duke qenë se kopshtet dhe çerdhet janë mbyllur. Me çfarë ushqenim fëmijët, tani që janë mbyllur, dhe e kemi mundësinë e një fondi jo të vogël, ta parashikojmë për ditët, javët, muajt...".

Ndërkohë dezinfektimi në kryeqytet vijon. "Cdo ditë ka dezinfektim të rrugëve të Tiranës. Në mbrëmje bëjmë dezinfektim me pluhur. Në lagje fokusi më i madh është për hapësirat e përbashkëta, hapësira e shkallës, ashensorit. Edhe për ato pak raste të abuzimit duhet të jemi shumë të rreptë, më vjen mirë që edhe ushtria po i jep një dorë. Qëndroni në shtëpi, bashkia do të kujdes. Virusi po sillet si një vrasës edhe pse nuk ka një armë në dorë. Nëse secili sillet sikur ta kishte sëmundjen, mund të arrijmë një siguri. Bashkia do të bëjë të vetën".