Koronavirusi/Itali, 233 viktima, i infektuar edhe kreu i PD, Zingaretti! 20 mijë mjekë e 600 mln € për shëndetësinë! Në Kinë shëmbet hoteli-karantinë, 70 nën rrënoja

Teksa po shikohet mundësia e rritjes së zonave të ashtuquajtura të kuqe, Italia ka ndërmarrë një plan të paparë për të forcuar sistemin shëndetësor kombëtar në ditët e krizës më të zezë shëndetësore në historinë e saj.

Qeveria e kryeministrit Conte ka alokuar një fond prej 600 milionë eurosh dhe ka shtuar në sistem edhe 20 mijë profesionistë të tjerë, mes të cilëve studentë të sapodiplomuar dhe ish mjekë të dalë në pension, për tu përballur me koronavirusin.

Draft dekreti i qeverisë për emergjencën Covid-19 synon të revolucionarizojë fytyrën e kujdesit shëndetësor italian.

Në lidhje me strukturat, Rajonet kanë të drejtën të krijojnë ambiente të përkohshme shëndetësore si brenda dhe jashtë spitaleve si dhe mund të nënshkruajnë kontrata me persona privatë.

Sipas, Walter Ricciardi, këshilltar i Ministrit të Shëndetit ekpertët po shqyrtojnë mundësinë e zgjatjes deri në prill tw afatit të mbylljes së shkollave.

Komiteti Shkencor Teknik për emergjencën pranë qeverisë italiane do tw vendosë për këtë mundësi duke u bazuar në prova shkencore dhe nw rezultatet në terren për efektin pozitiv të një mase kaq të rëndë në sistemin arsimorë.

Njëqind mijë infeksione në të gjithë botën, shpërthime të reja në Gjermani, Francë, Shtetet e Bashkuara, njëzet e një raste në anijen ;Grand Princess’ e bllokuar në brigjet e San Francisko, në SHBA. Por nga Kina, nga ku filloi gjithçka, vijnë lajme ngushëlluese dhe duket se virusi po ngadalëson infeksionin dhe numri i viktimave po zvogëlohet. Sidoqoftë, alarmi mbetet i lartë dhe epidemia ende nuk është mposhtur.

SHBA, infeksione në 26 shtete: 16 të vdekur

Në Florida u regjistruan dy viktima duke e rritur numrin e vdekjeve në SHBA në 16 kurse numri i te infektuarve ka shkuar në 282, të shpërndarë në 26 shtete, nga të cilat tre kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme: Uashington, California dhe shteti i New York-ut.

21 persona janë identifikuar të infektuar në anijen e bllokuar në gjirin e San Francisko-s, 19 anëtarë të ekuipazhit dhe dy pasagjerë të ‘Grand Princess’ me 3500 persona në bord.

Kinë, 3491 të vdekur, 70% të shëruar

Në Kinë, në 24 orët e fundit kanë vdekur 28 persona duke e rritur në 3491 numrin e përgjithshëm të viktimave kurse numri i të shëruarve është rritur në 57 mijë. Në rang global, numri i të testuarve pozitiv ka shkuar në mbi 102 000.

Koronavirusi/Kinë, provinca e Hubei drejt zero infeksione. Pekini po përgatitet të heq izolimin

Në Wuhan, qeveria ka vendosur të mbyllë dy spitalet e ndërtuar me urgjencë për tju përgjigjur emergjencës nga koronavirusi teksa rreth pesë mijë nga 20 mijë pacientë në qytet janë akoma në gjendje të rëndë por që shpresohet se brenda javës mund të dalin nga gjendja e vështirë.

Autoritetet janë shprehur se po shikohet mundësia që në shumë vende të hiqet karantina. Jo vetëm në rajonet e tjara të Kinës por edhe në Hubei, epidemia po vazhdon të ngadalësohet. 126 rastet e të infektuarve të regjistruara dje, ishin të gjitha brenda këtij rajoni dhe asnjë në pjesën tjetër të vendit.

Vatra tjetër e kuqe e epidemisë, Koreja e Jugut ka testuar me koronavirus edhe 483 raste të reja për një total prej 6.767 kurse viktimat kanë shkuar në 42.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:11
Koronavirusi/Itali, 233 të vdekur, 5061 të infektuar dhe 589 të shëruar. Në terapi intensive 567 pacientë

Itali numri i vdekjeve nga koronavirusi ka shkuar në 233 kurse të infektuarit në total janë 5061, 1145 të regjistruar brenda një dite. Të shëruar janë 589, 66 më shumë se dje teksa 567 persona janë shtruar në spital në kujdesin intensiv.

Sipas ekspertëve, Covid-19 ‘udhëton’ më shpejt se Sars, por është gjithashtu shumë më pak vdekjeprurës. Në nivel global, shkalla e vdekshmërisë është 3.4%. Në Itali u rrit në 4.25%, ndërsa për sindromën akute të frymëmarrjes që u përhap nga Azia midis viteve 2002 dhe 2003 shkalla e vdekshmërisë ishte 10%.

Italia, për ekspertët e OBSH-së, nuk e ka parë ende pikun e infeksioneve që pritet në ditët në vijim.

Çfarë duhet të presim më pas?

Covid-19 ka një indeks shumë më të lartë të përhapjes sesa viruset e tjerë. Çdo person i infektuar rrezikon të infektojë më shumë se 2 të tjerë.

"Për gripin normal, indeksi i përhapjes është 1.2; për Sars ishte 1.6-1.8 ", shpjegon Walter Ricciardi, anëtar i bordit ekzekutiv të Organizatës Botërore të Shëndetit. Por në krahasim me Sars, "shkalla e vdekshmërisë është shumë më e ulët këtë herë, më pak se gjysma".

Një mjek britanik që drejton kërkimin për një vaksinë koronavirusi tha sot se virusi i ri është gjëja më e frikshme që ai ka hasur ndonjëherë dhe shumë më vdekjeprurës se gripi, duke e cilësuar situatën e tanishme si luftë.

Dr Richard Hatchett, kreu i Koalicionit për Inovacione të emergjencës Epidemike në Londër, tha që qeveritë duhet të kenë një përgjigje "agresive" për të luftuar virusin.

Dr. Hatchett tha se ai që ne po shohim është një virus "shumë herë më vdekjeprurës sesa gripi" dhe e përshkroi situatën si "një luftë".

Dr Hatchett, duke folur për ‘Channel 4 News’, tha: Unë kam punuar për përgatitjen e vaksinave kundër epidemive për rreth 20 vjet. Kjo është sëmundja më e frikshme që kam hasur ndonjëherë në karrierën time, që përfshin Ebola, MERS dhe SARS.

"Unë mendoj se gjëja më shqetësuese në lidhje me këtë virus është kombinimi i infektivitetit dhe aftësia për të shkaktuar sëmundje serioze deri edhe vdekje."

Duke parë se si u përhap në të gjithë botën, ai tha se karantina vullnetare është shumë e rëndësishme. Izolimi është i rëndësishëm.

Austri, rastet rrite numri i të infektuarve, 60 raste të reja në Belgjikë, 145 të vdekur në Iran

Në Austri numri i të infektuarve nga koronavirusi ka shkuar në 74 raste, 9 më shumë nga dje. Me 60 raste të reja të infektuara, numri i rasteve në Belgjikë rritet në 169, sipas të dhënave nga shëndeti publik i vendit.

Irani, 145 të vdekur dhe 5.823 të infektuar

Në 24 orët e kaluara Irani ka regjistruar 21 vdekje të reja nga Covid-19 dhe 1,076 raste të reja të infektuar, duke e rritur numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 145 dhe 5,823 të infektuar.

Ora 17:34
Koronavirusi/Itali, vdes mjekja anesteziste. Këshilltari për mirëqenien e rajonit të Lombardisë: Kini kujdes, rrini në shtëpi

Mes viktimave të ditës së sotme në Itali është edhe anestezistia Chiara Filipponi, e cila shërbente në spitalin e Mestre në Venecia. Kjo është viktima e parë italiane midis mjekëve

E prekur nga një sëmundje e rëndë më parë, përreth një muaj ajo ishte shtruar në spitalin ‘Angelo dell'Angelo’ ku dhe u infektua nga Covid-19.

Mjekët, infermierët, farmacistët në Itali po menaxhojnë emergjencën edhe me vetëflijim, profesionalizëm, etikë dhe sensin e detyrës.

Këshilltari për mirëqenien e rajonit të Lombardisë, Giulio Gallera, përmes një video mesazhi i dërgoi një apel banorëve të Lombardisë.

“Të gjithë duhet të adoptoni me vetëdije një stil të ri jetese. Duhet të qëndroni në shtëpi, duhet të shmangni tubimet, duhet të ruani distancën e sigurisë minimalisht një 1metër, të cilat janë thelbësore për të frenuar infeksionin e koronavirusit".

Ora 15:28
Koronavirusi/ Shembet hoteli i përdorur për karantinë në Kinë, shumë të plagosur, 70 ende nën rrënoja (VIDEO+FOTO)

Në Kinën lindore, një hotel që përdorej si strukturë karantine u shemb sot në qytetin e Quanzhou.

Deri tani raportohet se 70 njerëz ndodhen ende nën rrënoja, kurse 33 të tjerë të plagosur kanë mundur të nxirren jashtë mbetjeve të ngurta.

Sipas 'China Daily' 147 trupa të ekipeve te shpëtimit po punojnë për të rikuperuar të mbijetuarit e tjerë.

Shkaqet e aksidentit janë të paqarta për momentin. 

Hoteli Xinjia, i cili u ndërtua në vitin 2018, ishte me 5 kate dhe kishte gjithsej 80 dhoma dhe së fundmi ishte konvertuar për të vëzhguar periudhën shtesë të karantinës për pacientët e rikuperuar nga koronavirusi.

Quanzhou, një qytet me 8 milion banorë, është vendosur në provincën Fujian, në pjesën kontinentale të ngushticës së Tajvanit. Provinca Fujian ka 296 raste të koronavirusit dhe 10,819 njerëz ishin vendosur nën vëzhgim pasi ishin identifikuar si të infektuar. Qyteti ndodhet rreth një mijë kilometra larg Wuhan në provincën Hubei, ku filloi epidemia globale e COVID-19.

Ora 13:10
Koronavirusi/Itali, drejt kufizimeve të tjera dhe zonave të reja të verdha

Walter Ricciardi, këshilltar i Ministrit të Shëndetësisë, Roberto Speranza dhe anëtar i bordit ekzekutiv të OBSH tha se “Në qeveri po reflektohet mbi nevojën për të zhvilluar strategji të tjera dhe objektive që mund të prekin të tjera zona të verdha, përtej atyre të kuqe, pasi është konstatuar se virusi ka filluar të qarkullojë më intensivisht jo vetëm në Itali por edhe në gjithë Europën.

"Ne- tha ai- po përballemi me një situatë të pashembullt, është hera e parë që kemi një virus kaq ngjitës"

Pier Paolo Sileri, Zëvendës Ministër i Shëndetësisë, tha se "Masat e marra deri më tani janë funksionale për të zvogëluar përhapjen e virusit. Mbyllja e shkollave është një zgjedhje e shkëlqyeshme në mënyrë që infeksioni të mos përhapet. Nëse masat e tjera janë të domosdoshme, do ta shohim atë brenda ditëve të ardhshme”.

Ora 12:03
Koronavirusi/Itali, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Nicola Zingaretti testohet pozitivë nga Covid 19

Itali, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Nicola Zingaretti është testuar pozitiv nga koronavirusi.

"Mjekët më kanë thënë që jam pozitiv nga Covid19. Jam mirë, por do të më duhet të qëndroj në shtëpi për disa ditët e ardhshme. Nga këtu do të vazhdoj të ndjek punën që duhet të bëjë. Guxim për të gjithë dhe do të shihim së shpejti!- tha sekretari i Partisë Demokratike në një mesazh video në Facebook.

Partia Demokratike italiane së bashku me Lëvizjen 5 Yjet janë dy forcat kryesore që përbëjnë qeverinë e kryeministrit Giuseppe Conte

Sipas të dhënave të Mbrojtjes Civile Italiane dhe Komisionerit Angelo Borrelli, numri i viktimave nga koronavirusi ka shkuar në 197, të testuar pozitiv 3916 dhe të shëruar 523

Ora 11:58
Kina me më pak infeksione përpiqet të heq karantinën dhe të rihapë fabrikat

Optimizëm i kujdesshëm në Kinë. Për herë të parë që nga 20 janari, rajoni Hubei nuk ka regjistruar raste të reja të infeksionit. Natyrisht me përjashtim të kryeqytetit të saj Wuhan, epiqendra e epidemisë që tani është shpërndarë në arritur 83 vende.

Në Wuhan ka akoma 126 raste të reja të Covid 19, por vlen të theksohet se në pjesën tjetër të territorit të gjerë kombëtar ka vetëm 17.

Kështu, ndërsa rastet në botë rriten në mënyrë eksponenciale, kurba e infeksioneve kineze ka arritur në të ashtuquajturën rrafshnaltë dhe që nga fundi i shkurtit lë shpresë për një zbritje të shpejtë. I gjithë vendi po lëshon një psherëtimë lehtësuese por është ende i trembur.

Përpjekjet e mëdha të vendosura nga qeveria kineze kanë dhënë fryte dhe po planifikohet që në disa zona të hiqet karantina dhe në shumë fabrika të rifillojë puna si dhe të mbyllen dy spitalet e ngritur me urgjencë gjatë emergjencës.

Në Kinë, në 24 orët e fundit kanë vdekur duke e rritur në 3491 numrin e përgjithshëm të viktimave kurse numri i të shëruarve është rritur në 57 mijë.

Ora 10:03
Infeksionet nga koronavirusi në rritje, Franca mbyll 100 shkolla në lindje të vendit

Rajoni i Rheinit të Madh po shqetëson Francën. Në 48 orët e fundit, rastet e infektimit nga koronavirusi i ri janë rritur nga 10 në 48, duke sjellë një shpërthim të ri endemic lokal. Autoritetet kanë urdhëruar mbylljen e njëqind shkollave dhe kanë ndaluar grumbullimet me mbi pesëdhjetë njerëz. Ministria Franceze e Arsimit po parashiko që të mbyll shkollat në të gjithë vendin.

"Prioriteti është të mbrojmë të moshuarit."

Duke vizituar një shtëpi pensioni në Paris, Presidenti Francez Emmanuel Macron tha se ka mbi 420 raste të konstatuara të infektuar në vend, me pasojat më të rënda për pacientët mbi 60 vjeç. Në Francë – deklaroi ai-  shumë shpejt mund të rritet niveli i alarmit nga 2 në para maksimalin 3. Kurse në një postim në Twitter, shkruante se të mbrosh francezët do të thotë të qëndrosh pranë njerëzve në nevojë dhe të mbrosh të moshuarit.

Ora 10:00
Koronavirusi, Pse Italia ka shumë më shumë infeksione sesa vendet e tjera të Europës? Flasin virologët

Massimo Galli, profesor i sëmundjeve infektive në Universitetin e Milanos dhe drejtues i departamentit të sëmundjeve infektive III të spitalit Sacco, thotë se “Në bazë të të dhënave epidemiologjike mund të themi se virusi filloi të qarkullojë në Itali në fund të janarit dhefilloi përhapjen veçanërisht në të ashtuquajturën zonë e kuqe. Pacienti zero, kushdo që të jetë ai, nuk kishte arsye të besonte se ishte i infektuar. Virusi u përhap derisa të gjithë të infektuarit e ‘valës së parë’ nisën të përkeqësoheshin nga ana shëndetësore. Ne e vumë re zjarrin kur zjarri tashmë kishte djegur pjesën më të madhe të katit të pare.

Paolo Bonanni, Profesor i Higjienës në Universitetin e Firencës dhe anëtar i Shoqatës Italiane të Higjienës, Mjekësisë parandaluese dhe Shëndetit Publik, thotë se “Ne nuk ishim në gjendje të rindërtonim fazat e mbërritjes së infeksionit në Itali pasi na mungonte pacienti zero dhe më pas numri i të infektua u shtua me shpejtësi. Kontrollet paraprake ishin kufizuar fillimisht vetëm te ata që vinin nga Kina (si në rastin e dy pacientëve të parë në Spallanzani). Që nga mesi i janarit kemikonstatuar në zonën e Lodi, raste të pneumonisë së ndërlikuar, të shkaktuar ndoshta nga virusi i ri. Unë nuk e përjashtoj praninë e një ose më shumë super shpërndarësve të cilët mund të kenë shkaktuar rritjen e menjëhershme të numrit të të infektuarve brenda një kohe të shkurtër”.

Maja e ajsbergut

A mund të lidhet numri i lartë i infeksioneve në Itali me faktin se bëhen më shumë teste me shtupë.

Fabrizio Pregliasco, virolog i Universitetit të Milanos dhe drejtor mjekësor i Institutit Ortopedik Galeazzi thotë se "Duke përdorur një metaforë mund të them se ne mësuam për praninë e koronavirusit në Itali kur pamë majën e ajsbergut. Vetëm atëherë u vumë në kërkim të pacientit zero dhe morëm masa për të kufizuar shpërthimin e epidemisë, u kryen teste të shumta mbi subjektet e dyshura, duke identifikuar raste që në vendet e tjera nuk janë ekzaminuar. Për më tepër, duhet thënë se epidemia përkoi me një epidemi gripi të karakterizuar kryesisht nga viruset H1N1 dhe N3N2, të cilat japin efekte të rënda të frymëmarrjes”.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë