TIRANË- Presidenti Ilir Meta ka bërë një apel të fortë publik lidhur me marrjen e masave emergjente kundër koronavirusit, duke kërkuar që të aplikohet në Shqipëri "Zona e Kuqe", njësoj si në Itali. Që do të thotë, nisur nga dekreti që kryeministri italian Giuseppe Conte lëshoi sot, Meta kërkon që edhe në Shqipëri baret dhe restorantet të jenë të hapura deri në një periudhë të caktuar kohore, e përcaktuar  kjo nga vetë shtetit (psh. në Itali lejohen nga ora 06:18:00 të pasdites). Nga ana tjetër, të mbyllen pub-et e diskotekat, kinematë e muzetë, dyqane, tregje, panaire për të shmangur “grumbullimet e njerëzve” dhe monitorimi i situatës 24 orë në 24.  Një tjetër masë që ka marrë shteti fqinj për të parandaluar që të rritet numri i viktimave është edhe respektimi i distancës prej një metri kryesish në aktivitetet tregtare, në të kundërtën do të mbyllen, të cilën mesa duket Meta bën thirrje që të aplikohet edhe në vendin tonë, si një masë kundër përhapjes së këtij virusi që tashmë ka "pushtuar" një pjesë të mirë të botës.

Nisur nga numri i viktimave në rritje në Itali, por edhe faktit që është prekur edhe Greqia, dy shtet me të cilat vendi ynë ka "shkëmbimet më intensive", kreu i shtetit bën apel që të forcohen masat sanitaro-epidemiologjike dhe mbi të gjitha të rritet fondi për parandalimin e kësaj situate, si edhe për mbrojtjen e stafit mjekësor. Ai vë në dukje edhe thirrjen e tij të bërë me 31 janar për marrjen e masave sanitaro-epidemiologjike, atëherë kur në Itali ishin regjistruar vetëm 2 raste, apel ky për të cilin thekson se duhet marrë shumë herë më seriozisht sot për shkak se harta e vendeve të prekura është zgjeruar në 106 vende në total.

"Kam ndjekur me shqetësim të madh zhvillimet lidhur me pandeminë e coronavirusit, që për fat të keq janë rënduar së tepërmi, kur të gjithë do të donim që të ndodhte e kundërta. Në 31 janar të këtij vitit kam tërhequr publikisht vëmendjen për marrjen e masave sanitaro-epidemiologjike shumë të forta nga vendi ynë, edhe pse atëhere Italia kishte vetëm 2 të prekur nga coronavirusi.Sot situata paraqitet shumë më e rënduar në të gjithë botën, ku rezultojnë 106 vende të prekura, ndërsa Italia veçanërisht ka një rëndim ekstrem me mbi 5061 raste dhe rreth 233 vdekje. Duke vlerësuar: kete situatë shumë serioze epidemiologjike rajonale; faktin që situata në Itali është rënduar duke kapërcyer edhe “Zonën e kuqe”, me përshkallëzim në të gjithë territorin e saj me një mortalitet të lartë rreth 4,4%, dhe imponuar marrjen prej saj të masave shumë të forta kufizuese; rritjen shumë të shpejtë të rasteve të infektuara në Greqi; shfaqjen e rasteve të coronavirusit edhe në vende të tjera të rajonit tonë që rezultonin te paprekura; në informacionin që Organizata Botërore e Shëndetësisë jep për karakteristikat e këtij virusi e rreziqet serioze që ai paraqet;

Apeloj: Është emergjente forcimi maksimal i masave parandaluese sanitaro-epidemiologjike; 
Për shkak se gjendja në Itali por edhe përhapja në rritje në Greqi, dy vende me të cilat kemi shkëmbimet më intensive, imponon aplikimin e masave të "Zonës së Kuqe", si ato të marra në Itali, aplikimin e të gjitha kufizimeve e veprimeve që ky regjim kërkon, si dhe marrjen e masave organizative energjike dhe të monitoruara 24 orë në 24; Vënien në dispozicion të financimit të plotë,
shumë më të madh se ai i deritanishëm, për përballimin e situatës si dhe sigurimin e mbrojtjes së plotë dhe efikase të të gjithë personelit mjeksor të mobilizuar për përballimin e situatës; Angazhimin e të gjithë kualiteteve njerëzore shkencore, por edhe të atyre me eksperiencë në fushën e epidemiologjisë e higjenës, qofshin edhe jashtë shërbimit aktiv", 

Postimi i plotë i presidentit Ilir Meta

Deri më tani në Shqipëri nuk është regjistruar asnjë rast, informacion ky zyrtar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila ditën e sotme u ka kërkuar të gjithë personave që vijnë nga zonat e oprekura në shtete fqinje të vetëkarantinohet, e ndërsa Partia Demokratike i ka kërkuar qeverisë që të shpallë gjendjen e emergjencës, e ndërsa presidentit Ilir Meta të thërrasë sigurinë kombëtare.