Ndërsa mori fjalën në parlament, Saimir Korreshi thumboi takimet e ‘Pranisë besnike’ të qeverisë si një nismë që nuk zgjidh asnjë problematikë të popullit. Ai tha se në Lushnje vijon problemi me mbeturinat, me spitalin dhe me rezervuarin e Kasharajt ku tharja e tij nxori tonelata me peshq.

“Thatë që kjo seancë është për hallet e popullit? Këto kush i dëgjon, apo i regjistroni dhe i shihni para se të flini gjumë? Si puna e asaj së premtes së zezë të partisë suaj, ça e quani, të premte të bashkuar, të respektuar? I shënoni problemet, por zgjidhët opingat. Unë e di që integrimi nuk pret prandaj nxiton për Bruksel, por si t’ia bëjmë hallit? Flasim, lehim kot, por s’na dëgjon njeri. Ka plot halle. Shkoni te e njëjta zonë, thoni kemi një copë ure që duhet të lidhë 7 fshatra, s’e bëni.

Po i digjni plehrat ditën për diell në Lushnje. S’i pastroni. Kemi hall se nuk kanë ngelur rrugë parcele për të hedhur plehrat. I shtoni. Nuk na i merr inceneratori, thoni. Ku, se rrëng-rrëng u ndryshk ai, është bërë për skrap. Kjo është besnike qeveria, e premte e zezë, fortlumturia? Çfarë keni bërë për spitalin e Lushnjes? Pasi i dëgjuat fermerët, a pastruat ndonjë metër kanal? Vazhdon të rritet ai kallami. Për 20 mln lekë të vjetra, harxhoi qeveria juaj miliarda. Sot e për diell, Lushnja vjen erë kërmë.

Jeni 12, shkoni, zbukurohuni, vishuni, merrni valle mes Divjakës. E merrni dot? Ça merrni shënim? Keni rritur ndonjë gjë? Keni rritur ndihmën sociale? Jo, 27 mijë lekë është, s’u del për të ngrënë bukë. Njerëzit janë pa bukë, kështu që te Prania Besnike merrni ndonjë bukë me vete”, tha Korreshi.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Akuza në seancë dhe protestë jashtë dyerve, Berisha-socialistëve: Avokatë të Vlora Hysenit! 'Territorialja', Balla: Mos pengoni edhe 'zgjedhoren'