Afro 240 milionë euro do të kushtojë ndërtimi i baypass-it të Elbasanit, punimet për të cilin kanë nisur para disa ditësh në tre kilometrat e para dhe përfundojnë afër kombinatit Metalurgjik.
Në interpelancë në parlament ministri i Infrastrukturës Enea Karakaçi, tha se vonesat për zbatimin lidhen me kompleksitetin e projektit dhe vlerën e madhe të financimit, i cili ende nuk është siguruar plotësisht.
“Për shkak të përmasës dhe vlerës së lartë të këtij investimi, qasja jonë ka qenë që realizimi i tij të mbështetet në burimet e buxhetit të shtetit, por edhe me financime të huaja. Ndërkohë që vijojmë punën për sigurimin e financimit të plotë”, tha Karakaçi.
Ministri u ndal më tej në detaje të procedurave prokuruese, ku deri më tani janë lidhur dy kontrata të lotit të parë, që kushton 90 milionë euro.
“Ne nuk kemi prokuruar të gjithë lotin 1. Kemi prokuruar fazën e parë të lotit 1, fazën e dytë po ashtu, për të dyja këto faza janë lidhur kontratat dhe ndërkohë faza e tretë e lotit 1 është e buxhetuar në vitin 2027 dhe, për shkak të Ligjit të Buxhetit që e lejon mundësinë e bërjes së prokurimit, do të fillojë dhe do të vijojë prokurimi për këtë fazën e fundit të lotit të parë që në muajin shtator ose tetor”, tha ministri.
Ndërtimi i baypass-it nis nga hinka në dalje të autostradës Tiranë–Elbasan dhe do të lidhet me rrugën e re të korridorit 8. Ky baypass do të jetë autostradë e kategorisë A, sipas të njëjtave standarde që është aktualisht sot rruga Tiranë-Elbasan.
“Ai do të përmirësojë lidhjen me Korridorin VIII dhe rrjetin kombëtar të infrastrukturës, do të lehtësojë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, si dhe do të rrisë aksesin drejt zonave ekonomike e industriale dhe do të krijojë kushte më të mira për investim dhe zhvillim”, tha Karakaçi.
Finalizimi i këtij projekti të kushtueshëm, do të ketë ndikim të madh edhe në reduktimin e trafikut, pasi në aksin Tiranë–Elbasan qarkullojnë mesatarisht rreth 25.000 mjete në ditë, ndërsa në periudha me fluks të shtuar ky numër arrin deri në 30.000 mjete.






Komente
Komento