TIRANË- Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi dënimin me 1 vit burg për kryebashkiakun socialist të Rrogozhinës, Edison Memolla. I pari i Rrogozhinës është shpallur fajtor për korrupsion në zgjedhjet e pjesshme të të 6 marsit 2022 ku ai kandidonte nën siglën e socialistëve, ku edhe rezultoi fitues.
Hetimet kanë provuar se Memolla ndërhyri pranë OSHEE që të mos u ndërpritej energjia elektrike debitorëve, me qëllim që ata ta votonin në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.
Memolla u hetua në gjendje të lirë dhe në janar 2025 u dënua nga GJKKO, vendim të cilin e ankimoi në Apel ku shpresonte për pafajësi. Me dënimin që tashmë mori formë të prerë, Memolla pritet të arrestohet për të vuajtur dënimin me 1 vit burg dhe masa do të ekzekutohet brenda ditës së sotme.
Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Florian Kalaja, Igerta Hysi dhe Daniela Shirka, nuk pranuan kërkesën për pafajësi apo në alternativë dënimin në shërbim prove për Memollën. Në fuqi u la dhe dënimi i heqjes së të drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Apeli i GJKKO la në fuqi edhe vendimet për 3 të pandehur të tjerë Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku, të cilët u dënuan nga Shkalla e Parë përkatësisht me 1 vit dhe 8 muaj burg, ku për Toskun dënimi u pezullua duke u vendosur në shërbim prove. Në fuqi u la edhe dënimi për Ndriçim Tafxhafa që u dënua me 1 vit burg.
Me vendimin e formës së prerë, Memolla duhet të lërë postin e kryebashkiakut, ndërsa Bashkia e Rrogozhinës pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të pjesshme.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Lajmi në përditësim....
Komente










