TIRANË- GJKKO dënoi me 1 vit burg kryebashkiakun socialist të Rrogozhinës, Edison Memolla. Në seancën e sotme GJKKO vendosi të shpallë fajtor Edison Memollën për akuzën e “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe e dënoi me 1 vit burg, si dhe i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për një periudhë 5-vjeçare. Kjo masë dënimi ishte kërkuar dhe nga SPAK, një seancë më parë ndërkohë që mbrojtja kërkoi pafajësi.
"Do presim vendimin e zbardhur me pas do mbaj një qendrim. Do ushtroj të drejtën e ankimit", tha Memolla pasi doli nga GJKKO.
Sipas GJKKO-së është e provuar se Memolla ndërhyri pranë OSHEE që të mos u ndërpritej energjia elektrike debitorëve, me qëllim që ata ta votonin në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022 ku ai kandidonte nën siglën e socialistëve, ku edhe rezultoi fitues. Për bashkëtëpandehurin Ndriçim Tafxhafa GJKKO dha dënimin me 1 vit burg duke lënë në fuqi pretencën e SPAK.
Ndërsa për Blerim Xhemanin, u dha dënimi me 1 vit burg, ndërkohë SPAK kërkoi 2 vite, si dhe për Isuf Toskun për të cilin SPAK kërkoi dënimin me 1 vit burg, GJKKO caktoi dënimin me 8 muaj burg dhe e pezulloi atë në shërbim prove.
Trupi gjykues që dha vendimin përbëhej nga gjyqtarët: Flojera Davidhi, Elsa Ulliri, Erjon Bani.
-Ndriçim Tafxhafa, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i K. Penal - Dënohet me 1 vite burg
-Blerim Xhamani, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i dokumentave” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328-25 dhe 186 paragrafi 2 të Kodit Penal - Dënohet me 1 vit burg
-Isuf Tosku, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 paragrafi 2 i Kodit Penal -Dënohet me 8 muaj burg, i pezullohet në shërbim prove.
Çfarë ka ndodhur?
SPAK çoi dosjen në SPAK në 2 nëntor 2023. Procedimi penal është regjistruar pas transmetimit në rrjetet televizive të një regjistrimi audio të një bisede telefonike në prag të zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit, sipas të cilës pretendohet se Memolla paguante faturat e energjisë elektrike të qytetarëve të Rrogozhinës në këmbim të votave. Në bisedë telefonike me një grua, Memolla konfirmon se ishte takuar më herët me telefonuesen, të cilës i kishte garantuar mos-ndërprerjen e energjisë, në këmbim të votës për zgjedhjet e 6 marsit. E më pas në telefon del elektricisti që kishte shkuar për ndërprerjen e energjisë, të cilit Memolla i kërkon që të mos ia ndërpresë energjinë. Madje Memolla e orienton elektricistin që pasi të kalojnë zgjedhjet mund të vepronin.
Edison Memolla nuk është i pari kryetar bashkie që akuzohet dhe dënohet për korrupsion në zgjedhje. Më 5 mars 2024 u dënua me 2 vjet burg kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë, Fredi Beleri.