TIRANE - “Kroacisë ju vendos kusht që të integrohet në BE duhet të hetojë dhe të arrestojë zyrtarë të lartë të korruptuar.” Kështu është shprehur Prokurori i Përgjithshëm i Kroacisë Dinko Cvitan pas takimit të tij me gjyqtarët e Gjykatës së Krimeve të Rënda, duke lënë të nënkuptohet që për vendin tonë në kuadër të procesit integrues në BE është i nevojshëm hetimi dhe arrestimi zyrtarëve të korruptuar.

Kryeprokurori Cvitan theksoi në fjalën e tij se problem në vendin tonë është shtyrja e proceseve gjyqësore. Ai bëri të ditur se në Kroaci shtyrja e procesit gjyqësor sjell gjobitje deri në 5 mijë euro për avokatët të cilët paraqesin justifikime që kanë për qëllim zvarritjen e procesit.

Cvitan po ashtu nënvizoi se është në mirë të transparencës ndaj publikut që vendimet e gjykatave të bëhen publike dhe të komentohen në media.  

”Problemi i gjyqtarëve shqiptarë është ai i shtyrjes së proceseve. Në Kroaci gjyqtari vendos gjoba deri në 5 mijë euro avokatëve që zvarrisin proceset. Vendimet është gjë e mirë që të komentohen në media. T’i bëni proceset transparente në media. Ne na u vu kusht që të integroheshim duhet të vinim para drejtësisë zyrtarë të lartë.” theksoi Kryeprokurori Cvitan

Duke bërë një analogji teksa u shpreh se Gjykata e Krimeve të Rënda shqiptare është e njëjtë me atë kroate, ai tha se të gjithë zyrtarët e lartë duhet të hetohen nga Gjykata e krimeve të Rënda, por do të ishte mirë që të kishin eksperiencën kroate. Cvitan tha se gjyqtarët në Kroaci zgjidhen nga brenda sistemit dhe duhet të jenë emra të papërfolur të cilët firmosin një deklaratë personale.

“Gjykata juaj e njëjtë me gjykatën që kemi ne në Kroaci. Të gjithë zyrtarët e lartë hetohen nga kjo gjykatë, mirë do ishte që të kishit ekspertiencën tonë. Rekrutimi i gjyqtarëve te ne bëhet me ato persona që kanë integritet moral dhe nuk janë përfolur. Ata nënshkruajnë deklaratën personale para se të futen në gjykatë, përzgjidhen nga brenda sistemit në Gjykatën e Krimeve të Rënda.” tha ai

Danko Cvitan në kuadër të vizitës së tij në Tiranë ishte në ambietentet e Gjykatës së Krimeve të Rënda  në ditën e dytë dhe të fundit të trajnimit të autoriteteve të drejtësisë shqiptare lidhur me veprën penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë.

Dje ai është takuar me Prokurorët e Krimeve të Rënda ku pasi është njohur me çështjet e hetuara përgjatë vitit 2014 dhe ku ka shprehur habimë për faktin se ka pasur vetëm një rast për korrupsion.

Cvitan është sjellë nga Bashkimi Evropiaj për të trajnuar prokurorët shqiptarë për lidhur me hetimet që kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve të lartë. Ai  është një emër i njohur pasi 5 vite më parë hetoi për korrupsion dhe arrestoi ish-kryeministrin kroat Ivo Sanader.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)