Kosovë, festohet në të gjithë
vendin Bajrami i Vogël

Kosovë, festohet në të gjithë<br />vendin Bajrami i Vogël
PRISHTINË - Që sa zbardhi dita, xhamitë e shumta në gjithë Kosovën u mbushën me besimtarë për festën e madhe të myslimanëve, Bajramin e Vogël, siç tradicionalisht është quajtur nga shqiptarët kjo festë e sakrificës dhe solidaritetit të njeriut në emër të besimit në Zotin dhe në emër të dashurisë për njeriun.

Riti i faljes së këtij Bajrami konsiston në lutjen përmes të cilës shprehet adhurimi ndaj Zotit dhe më pas predikuesit fetarë – hoxhallarët rrëfejnë histori nga Kurani që i referohen sakrificës e dashurisë njerëzore, mëshirës e faljes, mirëkuptimit, vëllazërimit e paqes. 

Sipas "Kohës Ditore", zakonisht manifestimi kryesor u mbajt në kryeqytet, në Xhaminë e Madhe, të njohur edhe si Xhamia ‘Sulltan Mehmet Fatih’.  Urimin kryesor e bëri Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili uroi të gjithë besimtarët me dëshirën që të gjithë të kenë shëndet të mirë e lumturi në familje.

“Lusim Allahun xh.sh. që të largojë çdo kërcënim që e vështirëson sigurinë dhe paqen dhe në botën mbarë të mbretërojë paqja dhe harmonia mes njerëzve”, tha ai.

Ndërkohë besimtarët islamë bënë faljen tradicionale të namazit edhe në të gjitha xhamitë e vendit. Ndër pjesëmarrës kishte edhe figura politike, disa nga të cilët kështu kërkonin votën e tyre.

Pas faljes së namazit, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava me bashkëpunëtorët, priti në vizita zyrtarët më të lartë të vendit, si dhe përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në Prishtinë, të cilët në këtë mënyrë ua urojnë këtë festë besimtarëve islamë.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi duke uruar myftiun Naim Tërnava dhe përmes tij edhe të gjithë besimtarëve islamë në emër të Kuvendit dhe të vetin për festën e Bajramit të Vogël tha se në këtë festë të unitetit dhe paqes njerëzore, të gjithëve u uron mirëqenie, fat, shëndet dhe lumturi.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i uroi  myftiut Tërnava e përmes tij edhe të gjithë besimtarët e të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, festën e sakrificës, tolerancës, mirëkuptimit, respektit.

Në emër të presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, e cila ndodhet në Britani zyrtarisht, myftiun Tërnava dhe besimtarët islamë i ka uruar Ramush Tahiri.   

Bashkësinë Islame të Kosovës në këtë ditë të shenjtë të myslimanëve e vizitoi edhe kreu i Kishës Katolike, imzot Dodë Gjergji, i cili në emër të Ipeshkvisë dhe të vetin i uroi myftiut Tërnava dhe besimtarëve shqiptarë të kësaj feje Bajramin e Vogël.

“Jam këtu që të uroj Bashkësinë Islame,  zotin Tërnava për festën e Kurban Bajramit, që është festë e sakricifës. Kjo është një festë, që bartë në vete qëllime të përbashkëta, sepse sakrifica është pasuri e të gjitha feve, që sakrifica e gjithë besimtarëve mysliman të jetë një sakricifë nga zemra e njeriut”, u deklaroi medieve Imzot Dodë Gjergji, duke dalë nga selia e BIK-ut.

Bashkësinë Islame dhe myftiun Tërnava e kanë vizituar sot dhe i kanë uruar atij dhe të gjithë besimtarëve të tjerë islamë Bajramin e Vogël edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i AKR-së, Behgjet Pacolli i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani e po ashtu edhe kandidatët për kryetar të Prishtinës: Agim Çeku i PDK-së, i Vetëvendosjes Shpend Ahmeti, i LB-së Valon Murati si dhe zyrtarë të LDK-së.

 Për këtë ditë ata që kanë mundësi therin nga një kurban, të cilin zakonisht ua shpërndajnë të varfërve dhe njerëzve në nevojë.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Veliaj thirrje politikës: Mos u përfshini duke penguar çdo investim në Tiranë, zgjatimi i Lanës do transformojë qytetin

Veliaj thirrje politikës: Mos u përfshini duke penguar çdo investim në Tiranë, zgjatimi i Lanës do transformojë qytetin