Sot, kur kemi përmbyllur një proces të suksesshëm të zgjedhjeve komunale, ne qëndrojmë së bashku për të vlerësuar punën dhe angazhimin tonë brenda një viti në ndërtimin e vlerave demokratike dhe për të përcaktuar synimet tona për një të ardhme të afërt, nisi fjalimin e saj presidentja Jahjaga.
Këto zgjedhje kanë treguar se jemi të përgjegjshëm në organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të rëndësishëm ku vota e qytetarit të Republikës së Kosovës, si e drejtë e shenjtë e tij, është dëshmuar të jetë e lirë, shprehje e vullnetit të tyre i mishëruar edhe në Kushtetutën e Kosovës.
Tani, kur e kemi përmbyllur edhe një proces të rëndësishëm në përpjekjet tona për të ndërtuar shtetin e së drejtës, i kemi hapur vetes rrugën e integrimeve evropiane, një aspirate të kamotshme të qytetarit të Kosovës, pa dallim.
Me këto zgjedhje, që për herë të parë janë mbajtur njëkohësisht në tërë territorin e vendit, i kemi afruar qytetarët tanë më afër njëri-tjetrit, duke filluar integrimin e të gjitha komuniteteve në shoqërinë dhe institucionet e vendit.
Ky është suksesi i përbashkët i popullit, i institucioneve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, që është shembull se shoqëria jonë mund të ndërtohet mbi vlera dhe se shteti ndërtohet mbi parimet ligjore. Kosova duhet të vazhdojë të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, ku toleranca dhe mirëkuptimi janë vlerat themelore të saj.
Përgjatë kësaj periudhe, po aq sa edhe gjatë gjithë historisë së ekzistimit të Republikës së Kosovës, kemi dëshmuar se jemi një shtet që është i përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore, duke provuar që të tejkalojmë dallimet e të kaluarës dhe duke dhënë shembullin për ndërtimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore.
Nuk ka qenë e lehtë që të adresohen sfidat dhe të gjinden zgjidhjet. Plagët e luftës në Kosovë nuk janë shëruar ende, sepse pasojat që ka lënë kjo luftë ende nuk janë tejkaluar.
Dialogu është mënyra e vetme për të vendosur paqen dhe stabilitetin, si dhe për të garantuar përparimin e vendit tonë. Është e kuptueshme që në shoqërinë tonë kemi pasur hezitime dhe kundërshtime për procesin e dialogut, që duhet të përfundojë me Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që siguron paqe dhe stabilitet dhe hap rrugën drejt të ardhmes evropiane.
Le ta shohim Marrëveshjen si një mënyrë për të ecur përpara dhe si një qëllim tonin për të realizuar synimin për integrimin e vendit, për ruajtjen e tërësisë sonë si shtet. Dhe le ta shohim atë si një përpjekje të mirë të miqve tanë ndërkombëtarë, të SHBA-së dhe të BE-së, për të na ndihmuar që ta tejkalojmë historinë e dhunës dhe të mosmarrëveshjeve, duke na hapur një dritare të re të mundësive më të mëdha.
Mirëpo, ajo që ne tani duhet është zbatimi i plotë i Marrëveshjes për Normalizim, sepse vetëm kështu mund të ketë kuptim ajo. Dhe zbatimi duhet të bëhet kapitull për kapitull, hap pas hapi.
Ne duam që marrëveshja të mbikëqyret nga afër nga BE-ja, gjithsesi edhe nga SHBA-ja, që kanë qëndruar me ne gjatë gjithë kohës, ashtu siç ka qenë përkrah Kosovës kaherë, edhe në kohë të vështirë të represionit, edhe gjatë luftës por në veçanti në ndërtimit e shtetit dhe të shoqërisë demokratike. Ne duam sukses të marrëveshjes, sepse ajo nënkupton hapjen e perspektivës për të gjithë rajonin dhe gjithsesi një rrugë të pakthyeshme të integrimeve euroatlantike. Sepse, marrëveshja nënkupton qëndrueshmëri në Evropën Juglindore dhe sepse ajo garanton shtetin e së drejtës.
Prandaj, Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve dhe zbatimi i plotë i saj, përmes mbikëqyrjes ndërkombëtare të këtij procesi, kërkojmë të shërbejë si kushtëzim i integrimit evropian të Serbisë. Hapja e çdo kapitulli të bisedave për anëtarësim të Serbisë në BE do të duhej të vlerësohej me hapat e bërë në rrugën e zbatimit të marrëveshjes me Kosovën.
Dialogu është i rëndësishëm në përmbushjen e kapaciteteve të Kosovës për realizimin e aspiratave tona evropiane, gjatë së cilit proces sigurojmë integrimin e të gjitha komuniteteve. Dialogu me qytetarët tanë të të gjithë komuniteteve, posaçërisht komunitetit serb, është përpjekje për të përmbyllur kapitujt e mosbesimit në mes nesh dhe për të hapur kapituj të ri mbi mirëbesimin dhe qëllimet e përbashkëta për një jetë më të mirë. Prandaj ne i kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit komunitetit serb, serb, që jeton në jug e veri të lumit Ibër.
Dhe tani kemi përgjegjësi. Kemi përgjegjësi për të ndihmuar këtë komunitet, që të jetojë në një mjedis ku respektohet rendi dhe ligji, të çlirohet nga frika e kriminelëve, të cilët kanë përfituar në dëm të tyre, dhe të udhëhiqen nga liderë që përfaqësojnë vullnetin e tyre. Prandaj, ne kemi përgjegjësinë ta ndërtojmë së bashku të ardhmen e vendit tonë, duke mundësuar integrimin e të gjithë qytetarëve, pa dallim.
Të jemi të qartë – Kosova është vend ku zbatohet kushtetutshmëria dhe ligjshmëria dhe ku secili qytetar i ka të garantuara të drejtat dhe liritë e tij. Komunat e Kosovës mund të ndihmojnë njëra-tjetrën, mund të lidhin partneritete ndërmjet veti, në përputhje me funksionimin demokratik të institucioneve të vendit. Çdo gjë që i takon me ligj, cilitdo komunitet, do të zbatohet. Çdo gjë që garantohet me Kushtetutë do të përmbushet. Le t’i hapim rrugën zgjidhjeve që bazohen në ligjet dhe proceset tona ligjore.
Përgjegjësinë për ecjen tonë drejt një jete më të mirë do ta bartim së bashku, sepse është e mundur që ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë.
Kosova është një vend i pranuar sot nga më shumë se 100 shtete të botës, që ka vendosur marrëdhënie bilaterale me një varg shtetesh dhe synim të vazhdueshëm kemi anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, njëherësh duke u bërë pjesë e BE-së, OKB-së, NATO-s, edhe e të gjithë mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë, sepse kjo është e ardhmja e jonë dhe e ardhmja e secilit shtet të pavarur.
Integrimi ynë në BE është i mundur dhe ai do të arrihet, kur ne seriozisht ta kuptojmë se kaptina më e rëndësishme e shtetndërtimit është sundimi i ligjit, është shteti i së drejtës dhe është barazia para tij. BE-ja e ka hapur mundësinë e integrimeve për ne, përmes nisjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe ne presim t’i përfundojmë ato në pranverë të vitit të ardhshëm. Fillimi i këtij procesi ka qenë i mundur falë konsensusit të gjerë politik rreth agjendës evropiane, duke dëshmuar progres në përmbushjen e reformave thelbësore dhe në angazhimin e përparimin që kemi treguar në dialogun në Bruksel.
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit do të mbështesë reformat në të gjithë sektorët, por në një periudhë më afatgjatë do të krijojë mundësi të reja në dinamizmin dhe konkurrencën e ekonomisë tonë, që ajo të arrijë potencialin e saj të plotë zhvillimor.
Puna jonë ende nuk ka përfunduar që qytetarët e vendit tonë të mund të gëzojnë perspektivën evropiane, ashtu si qytetarët e vendeve të tjera të rajonit. Në procesin e liberalizimit të vizave, sado që progres i rëndësishëm është bërë në një numër blloqesh dhe në miratimin e kornizës ligjore, ka edhe shumë sfida që mbesin, siç janë zbatimi efektiv i legjislacionit dhe lufta efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Tashmë është e qartë që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk është vetëm çështje e kryeqendrës së Bashkimit Evropian, por edhe preokupim i çdo shteti anëtar, sepse ndërlidhet me politikat e tyre kombëtare.
Në çdo shtet të BE-së që kam vizituar dhe me secilin lider evropian që jam takuar, kam kërkuar që qarkullimi i lirë, si një e drejtë e pamohueshme, t’ju mundësohet qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Ne nuk kërkojmë një rrugë të shkurtër të anëtarësimit në BE, por jemi të interesuar t’i plotësojmë të gjitha obligimet në këtë proces.
Përmes Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian tashmë kemi miratuar Strategjinë Kombëtare për Integrim, një proces njëvjeçar i konsultimit, me pjesëmarrje të gjerë të të gjitha institucioneve, partive politike dhe shoqërisë civile.
Procesi i integrimit në BE është udhërrëfyesi më i mirë për transformimin tonë shoqëror dhe ky vizion nuk ka alternativë. Çdo veprim që ne ndërmarrim, si institucione dhe si shoqëri, duhet të jetë vendosmërisht i orientuar drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Në këtë rrugëtim ne do të mbështetemi nga EULEX-i, si mision partner në Kosovë dhe i rëndësishëm, për të përfunduar punën e nisur së bashku në konsolidimin e sundimit të ligjit.
Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë mekanizma të fortë dhe të përgjegjshëm vendorë – struktura të afta dhe të llogaridhënëse për sundimin e ligjit, institucione profesionale dhe që gëzojnë besimin e qytetarëve tanë. Bartja graduale e përgjegjësive në fushën e sundimit të ligjit në institucionet e Republikës së Kosovës është e lidhur me ndërtimin e plotë të kapaciteteve tona në bashkëpunim me EULEX-in.
Reformat tona në sistemin e drejtësisë kanë për qëllim krijimin e mekanizmave të pavarur dhe efikase, që të forcojnë besimin në drejtësinë e vendit.
Ne mund ta bëjmë Kosovën ndër vendet më të zhvilluara të Evropës Juglindore, duke u shndërruar në udhëkryqin më të rëndësishëm për të gjitha vendet e këtij rajoni, që i siguron investitorët se Kosova do ta mbrojë kapitalin e tyre.
Kosova do ta ketë të vështirë që ta ndërtojë besimin e qytetarëve të saj, nëse lufta kundër korrupsionit nuk bëhet përparësi dhe nëse ajo nuk jep rezultat. Kosova e ka të vështirë ta ndryshojë bindjen e qytetarëve të saj, nëse korrupsioni po ua ha të ardhmen e tyre.
Shtetin e kanë ndërtuar qytetarët e Kosovës, Ata njerëz që sot kanë kthyer sytë nga institucionet - edhe në nivel qendror por edhe në atë lokal, edhe këtu në këtë vend të popullit - për të parë llogaridhënien e qeverisjes sonë dhe për të parë përfitimet për ta nga shteti që po e ndërtojnë.
Ne jemi zotuar para qytetarëve tanë se korrupsionin do ta luftojmë deri në fund, duke vendosur politikat e tolerancës zero ndaj fenomeneve negative. Tani është koha për të dhënë rezultate të prekshme përpara tyre. Na duhet konsistencë, na duhet guxim dhe na duhet besim në sistemin që krijuam.
Ky realitet në sytë e botës, ka synimin e tij që të integrohet në Evropë, të integrohet në strukturat e Aleancës Veriatlantike. Kjo është e mundur pasi t’i kryejmë detyrat tona. Dhe detyrë jona është ndërtimi i shtetit të qëndrueshëm, të pakorruptuar, të shtetit ku sundimi i ligjit është themeli i demokracisë sonë.
Jemi përkushtuar, kemi krijuar mekanizma për luftimin e fenomeneve negative në shoqëri, kemi nxjerrë legjislacion modern dhe tani na duhet të tregojmë zbatim efikas të ligjit.
Duhet t’i japim fund trendit të cilësimit të vendit tonë si një vend i korruptuar dhe me krim të organizuar, sepse nuk duam që të shohim se si po shteren mundësitë e investimeve të huaja, duke e pamundësuar zhvillimin tonë ekonomik. Ne duhet t’i japim fund këtij trendi, sepse nuk duam të shohim se si të rinjtë tanë po ikin nga vendi në kërkim të një jete më të mirë, duke e rrezikuar qenien e tyre dhe duke rënë pre e grupeve të krimit të organizuar, që i bartin përtej vendit të tyre.
Çdo vend i ri pune varet nga fuqia jonë për ta ndaluar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Një qytetar, më shumë do të dojë të vazhdojë të qëndrojë në vend për ta ndihmuar zhvillimin e tij.
Një hap përpara drejt zhvillimit ekonomik varet nga vullneti ynë për ta ndalur forcën e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Qindra investime të vogla e të mëdha, të qytetarëve tanë e të atyre të huaj, me potencial të madh, janë varur dhe varen edhe sot nga forca, vullneti, dëshira dhe mundësia jonë për ta çrrënjosur fenomenin e korrupsionit dhe nga obligimi ynë për ta zbatuar ligjin.
Të shikojmë përreth. Përkundër vështirësive, të rinjtë tanë po shkëlqejnë nëpër botë. Së fundi, diplomatët digjitalë të Kosovës, me vetiniciativë dhe ngulm, sollën një njohje shumë të rëndësishme, duke ndërtuar një imazh të ri për vendin tonë. Ata janë vetëm një fraksion i potencialit që mban gjenerata e tyre – apo rreth 70 për qind e popullatës së Kosovës që është nën moshën 30 vjeçe.
Pra thjeshtë, e ardhmja është në duart tona, sikur që është edhe mundësia që rrënjësisht ta transformojmë Kosovën! Unë nuk dua që ta humbim atë! Besoj se askush nuk e do këtë!
Jemi të gjithë ne - qytetarët e Republikës së Kosovës - jo vetëm një pjesë e këtij vendi, por të gjithë ne - qytetarët e barabartë të këtij shteti - që duhet të gëzojmë të drejta të njëjta dhe të pamohueshme, ashtu siç janë të mishëruara në Kushtetutën tonë.
Jemi ne, të gjithë NE - qytetarët e Republikës së Kosovës, njerëz - pavarësisht nga përkatësia jonë gjinore - që duam të punojmë dhe të jetojmë çdo ditë me këtë shtet tonin. Prandaj duam më shumë mundësi për shkollim dhe edukim për vajzat tona. Sepse janë pjesë e pandashme e shoqërisë sonë.
Duam më shumë mundësi për fuqizim ekonomik të gruas dhe përfshirje të saj në të gjitha nivelet e institucioneve.
Kosova në këto vite të fundit ka arritur të ndryshojë botëkuptimin për çështjen gjinore, duke bërë hapa të rëndësishëm në përfaqësimin e gruas në të gjitha fushat e jetës.
Ne duhet ta ruajmë karakterin laik të shtetit tonë, ashtu siç e kemi përcaktuar me Kushtetutë.
Ne nuk kërkojmë të ndryshojë bindja fetare e askujt, por duam që shteti dhe feja të jenë qartë të ndara, sepse një parim i tillë do të ruajë tolerancën ndërfetare që e ndërtuam me shekuj.
Kosova nuk ka qenë asnjëherë vatër e krizave dhe konflikteve fetare, por një vend ku parimi i tolerancës ndërfetare është vlerë themelore e shtetit, mbi të cilin edhe është ndërtuar. Ne jemi shtet edhe i myslimanëve, edhe i katolikëve, edhe i ortodoksëve edhe i të gjitha besimeve të tjera, si dhe jobesimtarëve, po aq sa jemi shtet i qytetarëve të të gjitha komuniteteve që jetojnë në të.
Jemi shtet qytetar.
Sot jemi një vend, me synim të qartë dhe me vizion të përcaktuar. Përpjekja jonë e sotme është në ndërtimin e shtetit të fuqishëm ekonomik, të shtetit shembull të fqinjësisë së mirë dhe një shteti të së drejtës. Përpjekjet e të rinjve tanë sot janë betejat e mirëqenies dhe të punësimit, të një jete më të mirë.
Qytetarët e Kosovës nuk duhet të përfshihen në luftëra të tjera kudo në botë, qoftë për ideologji apo të mira materiale. Nuk mund të lejojmë përfshirjen e të rinjve tanë në luftëra jashtë vendit, si pjesë të grupeve radikale e ekstremiste, synimet e të cilave nuk kanë asgjë të përbashkët me qëllimin e botës demokratike dhe për të vendosur të drejtat universale të njeriut në vendet që aspirojnë lirinë e demokracinë dhe që luftojnë kundër diktaturave.
Ne jemi vend i vogël për të bartur pasojat e ekstremizmit të cilitdo lloj, por jemi një vend i rreshtuar qartë dhe plotësisht në anën e forcave demokratike në botë, që po synojnë të vendosin paqen dhe të largojnë diktatorë.
Megjithatë, ne po sfidohemi me problemin e radikalizimit, në këtë rast, siç po përballen edhe të gjitha vendet e tjera që kanë shtetas të tyre të përfshirë në konfliktin në Siri. Ne do të mund të përballemi me mentalitetin e një lufte të huaj, që do të mund të sjellë në Kosovë ajo gjeneratë e atyre të rinjve që janë përfshirë në të. Me mentalitetin e dhunës dhe të vrasjeve që kryhen në emër të një kauze – ende të paqartë për shumëkë.
Dhe do ta kemi të vështirë – por të jemi të qartë: asnjë lloj ekstremizmi nuk do të mund të zë vend të sigurt në Kosovë, sepse Kosova nuk do të bëhet as strehimore e as eksportuese e një fenomeni të tillë.
Kosova ka ruajtur përgjatë vitit një rritje të vazhdueshme ekonomike, përkundër krizës financiare dhe ekonomike botërore. Megjithatë, nevojitet një mobilizim më i madh dhe një përkushtim më serioz jo vetëm në promovimin e mundësive për investime, por edhe në ofrimin e kushteve sa më të volitshme për investitorët e huaj dhe mbrojtjen e tyre.
Projektet madhore infrastrukturore, autostradat që lidhin gjithë Kosovën edhe me vendet e tjera fqinje, ofrojnë një mundësi më të madhe për vendin dhe për qytetarët e tij, si dhe krijojnë kushte më të mira afariste dhe rrisin aftësinë e tyre konkurruese.
Ne duhet të ndërtojmë edhe mekanizma të nevojshëm mbështetës për të lehtësuar edhe investimet e diasporës duke i ofruar asaj mundësi konkrete investimi, me një risk minimal dhe kthim të sigurt.
Por, përkundër progresit të shënuar, Kosova vazhdon të përballët me sfida serioze ekonomike. Papunësia e lartë, shkalla e lartë e varfërisë, shkalla e ulët e prodhimit vendor, eksportet e pakta dhe importet e larta, informaliteti dhe mangësitë në sundimin e ligjit, domosdoshmërisht ndrydhin rritjen ekonomike dhe progresin e përgjithshëm në shkallë vendi.
Prandaj, procesi i përshtatjes strukturore duhet të vazhdojë. Privatizimi si proces nganjëherë i dhembshëm, por shumë i domosdoshëm për një zhvillim të qëndrueshëm, duhet të ecë tutje.
Ne duhet të angazhohemi më shumë në krijimin e parakushteve për një qeverisje ekonomike më efektive, që nënkupton përqendrimin e institucioneve ekonomike tek ofrimi i mbrojtjes së nevojshme ligjore e institucionale për sistemin ekonomik, heqjen e praktikave të monopolit, përmirësimin e qarkullimit dhe besueshmërisë së informacionit, mbrojtjen e konkurrencës, përkujdesjen ndaj stabilitetit makroekonomik, me një kujdes të shtuar ndaj lirisë ekonomike.
Prosperiteti ynë ekonomik varet nga zhbllokimi i resurseve dhe potencialeve të jashtëzakonshme që ka vendi ynë, qofshin ato resurse njerëzore, natyrore apo aso që rrjedhin nga iniciativa e lirë e sektorit privat.
E di se sa sfiduese është pritja e madhe për një jetë më të mirë dhe mirëqenie në shoqëri. E kuptoj se sa e drejtë është nevoja e të gjithë shoqërisë në Kosovë për një shtet të qëndrueshëm, të zhvilluar dhe të fortë. E vlerësoj durimin e madh dhe përkushtimin tuaj për t’u përballur me sfidat e të tashmes.
Por, unë dua t’ju bëjë thirrje që të qëndrojmë bashkë. Të angazhohemi të gjithë që shteti ynë të qëndrojë në këmbë të fuqishme.
Rruga e së ardhmes kërkon nga ne sakrifica të mëdha. Dhe unë besoj fuqishëm se ne jemi të gatshëm të përballemi me to dhe të kemi sukses të plotë.
Ne e kemi bërë të pamundurën së bashku. Kemi ndërtuar shtetin tonë. Kosova është e jona dhe ky proces është i pakthyeshëm.
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)