Kosovë, Jakup Krasniqi bojkoton
Kongresin e Përgjithshëm të PDK-së

Kosovë, Jakup Krasniqi bojkoton <br />Kongresin e Përgjithshëm të PDK-së
KOSOVE - Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi ka deklaruar zyrtarisht se nuk do të merr pjesë në Kongresin e Përgjithshëm të kësaj partie që pritet të mbahet më 26 dhe 27 janar. Përmes një njoftimi për media, Krasniqi ka thënë se ka besuar në drejtësinë për të cilën kanë luftuar gjenerata të tëra kombesh e vendesh të ndryshme.

Në njoftim, veç tjerash Krasniqi thotë se vazhdon t’i beson programit të PDK-së, duke e konsideruar madje edhe detyrim sipas statutit dhe ndërgjegjes, i cili garanton “zgjedhje të lira me votë të fshehtë plurale dhe të barabartë”, që jetën e mbron me ligj, që angazhohet për media të lira, për shprehje e mendim të lirë, për paprekshmëri të pronës dhe lëvizje të lirë.

Të gjitha këto të drejta, sipas Krasniqit, kanë gjetur hapësirë të madhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se këto të drejta PDK-ja i ka vendosur shumë kohë më parë. Por programi sipas tij nuk po respektohet.

Krasniqi është shprehur edhe për zgjedhjet e fundit nacionale dhe sidomos këto të fundit partiake, që sipas tij dëshmojnë përfundimisht se kreu i PDK-së e ka nxjerrë tërësisht partinë nga shtrati i saj themeltar, jashtë programit e statutit të saj, rrjedhimisht jashtë të gjitha vlerave themeluese e normuese. Krasniqi thotë se kreu i PDK-së ka eliminuar çdo debat, diskutim e bashkë me këtë çdo vlerë që do të rezultonte gjithandej edhe për çështjet më vitale për vendin dhe kombin.

As për reformën zgjedhore, “një anëtar një votë”, as për qeverisjen e fundit edhe pas shumë skandaleve nuk ka pasur gatishmëri për të diskutuar, analizuar e ndryshuar, thotë ndër të tjera sekretari i përgjithshëm i PDK-së.

Sipas Krasniqit, kulmi i të gjitha këtyre, në dy vitet e fundit, është shfaqur në përcaktimin - emërimin e njerëzve pa asnjë kriter në institucionet më të larta të vendit, skandalet e vazhdueshme në kabinetin qeveritar deri te krimi i organizuar, i manifestuar në rastin e “Grandit”, “Veliaj” etj.

“Mbi lakminë dhe shkëlqimin e përkohshëm të sedrës falso, parapëlqej çmimin e peshës së rëndë për mos-bërje ndërgjegjeje nesër” ka thënë Krasniqi. Të gjitha këto sa u thanë, përfshirë edhe zgjedhjet e fundit partiake jashtë çdo norme statuti, jashtë vullnetit të anëtarësisë së identifikuar të partisë dhe të strukturave të saj, më japin arsye dhe kurajë të mos jem pjesë e as pjesëmarrës në Kongresin “zgjedhor” të PDK-së, ka thënë ai, duke shtuar se përmes këtij procesi “zgjedhor”, kreu i saj ka bërë zgjedhje për të kënaqur ambiciet e tija dhe vetëm të tija, por jo zgjedhje për Kosovën dhe qytetarët e saj. Në qoftë se veprimi im, në çfarëdo mënyre, prek sadopak membranën e ndërgjegjes suaj bashkëveprues të deritashëm, ndihem i lumtur, i qetë e me fat”, përfundon deklarata e sekretarit të përgjithshëm të PDK-së, Jakup Krasniqi.

(rtk/eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve