Gjithashtu, kjo rezolutë, sipas tekstit të fundit që u lexua para Kuvendit, kërkonte edhe kushtëzimin e normalizimit të marrëdhënieve me shtetin serb me shkallën e përparimit të të drejtave të shqiptarëve të Luginës.
Fillimisht, rezoluta u propozua nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri. Ai tha se shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk i gëzojnë të drejtat elementare që sigurohen me konventa ndërkombëtare. Andaj, ai i kërkoi Qeverisë së Kosovës që të shtojë kujdesin dhe interesimin shtetëror për shqiptarët e kësaj pjese.
Po ashtu, në mesin e neneve të rezolutës flitej edhe për trajtimin me reciprocitet të pozitës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Serbi, me serbët e pjesës veriore të Kosovës.
Në debat më pas u përfshi edhe kryeministri Hashim Thaçi. Ai propozoi që në vend të rezolutës, të bëhet amendamentimi i Kushtetutës së Kosovës me anë të një neni, i cili do ta obligonte Qeverinë t’i mbronte interesat e shqiptarëve edhe jashtë Kosovës.
“Propozoj që nenit 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, t’i shtohet edhe pika 4, dhe të theksohet: Republika e Kosovës ka të drejtë të interesohet dhe të mbrojë të drejtat legjitime të shqiptarëve jashtë Kosovës, me mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë, ligjet e Kosovës dhe aktet ndërkombëtare”, propozoi Thaçi.
Amendamenti i propozuar nga Thaçi, hapi shumë dilema. Partia Demokratike e Kosovës insistonte që propozimi i kryeministrit të jetë pika e parë e rezolutës, përderisa Lidhja Demokratike e Kosovës kërkonte që Thaçi të iniciojë ndryshime kushtetuese, pa pasur nevojë të fusë atë si pikë në rezolutë.
Kryeministri Thaçi tha se shprehte keqardhje që një pjesë e deputetëve ishin larguar nga seanca kur po diskutohej një problematikë si ajo e Luginës së Preshevës.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kërkoi që Kuvendi t’i drejtohet edhe Komisionit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, për të kërkuar hulumtimin e realizimit të drejtave etnike të shqiptarëve në pjesën jugore të Serbisë.
Ndryshe, në rekomandimet e Kuvendit u përfshi edhe kërkesa për heqjen e taksave për qytetarët e Luginës, të cilët detyrohen të paguajnë 20 euro në javë kur kalojnë kufirin Serbi - Kosovë. Po ashtu, rekomandohet që shqiptarët e Luginës të gëzojnë të drejta të barabarta për arsim në Kosovë e deri tek e drejta e marrjes së shtetësisë dhe pjesëmarrjes në proceset zgjedhore për nivelin qendror.
Komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, gjenden në jug të Serbisë, dhe kryesisht përkufizohen si Luginë e Preshevës, por deputetët gjatë debatit, kryesisht i janë referuar kësaj pjese si Kosovë Lindore.
Gjatë seancës, ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e komunave dhe aktivistë politikë të tri komunave të Luginës.
Seanca e ndërprerë do t’i vazhdojë punimet javën tjetër, ku do të hidhet në votim rezoluta, teksti i së cilës ishte harmonizuar në masën më të madhe nga grupet e deputetëve, përveç pikës së parë që ishte propozuar nga kryeministri Thaçi.
Marrë nga "Radio Evropa e Lirë"
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)