Kosovë-Serbi, marrëveshja
për Veriun duket e afërt

Kosovë-Serbi, marrëveshja <br />për Veriun duket e afërt
Raundi i ardhshëm i dialogut Kosovë - Serbi po shihet si mundësi e mirë për arritjen e marrëveshjes për Veriun. Lehtësuesja e bisedimeve, Catherine Ashton, tha se Thaçi dhe Dacic mund ta bëjnë këtë. Sinjale pozitive dha edhe Tomislav Nikolic, i cili për herë të parë pohoi se Asociacioni i komunave serbe do të funksionojë në bazë të ligjeve të Kosovës.

Lehtësuesja e bisedimeve Kosovë-Serbi, Catherine Ashton, po pret që javën e ardhshme Hashim Thaçi e Ivica Dacic të arrijnë marrëveshjen për Veriun e Kosovës.

Por, ajo paraprakisht ka thënë se varet nëse dy kryeministrat pajtohen për disa probleme të vështira, pa përmendur se cilat janë ato.

“Mendoj se është e mundur të arrijnë marrëveshje”, ka thënë Ashton të shtunën në Forumin e Brukselit.

“A janë të gatshme ose jo do të varet prej asaj se a do të gjejmë mënyra për t’i tejkaluar disa probleme të vështira që ato kanë”, ka shtuar Ashton.

Kjo zyrtare e BE’së ka thënë se ka respekt për dy kryeministrat që kanë pranuar të bisedojnë dhe të takohen edhe për të shtatën herë.

“Ata janë takuar gjashtë herë dhe do të takohen edhe të mërkurën”, ka thënë kryediplomatja europiane.

Shefja për Politikë të Jashtme të BE’së ka qëndruar këtë javë në Prishtinë e Beograd për t’i bindur palët për të arritur marrëveshje për Asociacionin e komunave serbe, por nuk ka dhënë asnjë detaj nëse është arritur ndonjë pajtim duke e dhënë edhe një arsyetim për këtë.

“Unë kam folur shumë pak rreth pyetjeve për Kosovën dhe Serbinë sepse ky është një proces i tyre dhe sepse mediet veçmas në Prishtinë dhe Beograd me ankth provojnë të interpretojnë të gjitha gjërat që thuhen. Nëse jemi të suksesshëm, do të flas më shumë”, ka thënë Ashton.

Ndërkohë në Beograd, Presidenti serb, Tomislav Nikolic, ka deklaruar për herë të parë se krijimi i Asociacionit të komunave serbe në Kosovë do të krijohet sipas legjislacionit të Prishtinës.

Nikolic në një intervistë të emituar në TV “Most” të Zveçanit, duke sqaruar kompetencat e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Veri, ka thënë se “bashkësia e komunave në Kosovë do të ketë kompetenca që të miratojë statute, rregullore, vendime, rregulla dhe rregullore në bazë të ligjeve që i sjellë Kuvendi i Kosovës”.

Ai ka thënë se në Kuvendin e Kosovës, Asociacioni i komunave do të jetë i përfaqësuar, dhe se në këtë Kuvend ligjet që kanë të bëjnë me asociacionin duhet të miratohet në atë mënyrë që asociacioni të votojë me shumicë për ato ligje.

Shefi i shtetit serb ka deklaruar se nëse Serbia tërhiqet nga dialogu me Kosovën dhe nëse i lihet në dorë Prishtinës që me BE-në ta rregullojë Kosovën pa pajtueshmërinë e Beogradit, një gjë e tillë nuk do t’u ndihmonte serbëve të Kosovës.

Ndërkohë, gazeta austriake Der Standard ka shkruar se përkundër gjithë retorikës, Kosova dhe Serbia janë shumë afër një marrëveshje, e cila i ngjason asaj mes dy Gjermanive. Kjo gazetë citon një diplomat se pikat kryesore të marrëveshjes që pritet të arrihet mes dy vendeve.

“Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve në rastin me ideal parasheh që Kosova të pajtohet me Asociacionin e komunave në Veri. Asociacioni nuk duhet të këtë as Parlament, e as sistem të drejtësisë. Mund të shprehen dëshira për mbulimin e funksioneve policore dhe të drejtësisë, por pushteti ekzekutiv i takon qeverisë qendrore në Prishtinë. Pra, pushteti ekzekutiv për Veriun i takon Prishtinës".

Por, Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka thënë se marrëveshja është e mundshme me Kosovën vetëm nëse lëshon pe Hashim Thaçi sa u përket kompetencave për Asociacionin e komunave serbe.

Në të kundërtën, Dacic është shprehur pesimist se mund të ketë përparime më 20 mars.

“Marrëveshja është e mundshme, sepse po mundohemi për këtë, gjashtë herë kam biseduar me Thaçin, por nëse Thaçi vlerëson se nuk dihet të bëjë lëshime që të arrihet marrëveshje, atëherë është shumë e vështirë të pritet arritja e marrëveshjes”, ka thënë Dacic.

Sipas tij, Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk duhet të ketë kompetenca ligjore, por duhet të ketë kompetenca të zbatimit të ligjeve.

“Nëse dikush mendon që serbët në Kosovë mund të merren me botimin e revistave dhe kjo është kompetencë e mjaftueshme e bashkësisë, atëherë ne jemi larg marrëveshjes”, ka thënë Dacic.

*Marrë nga Gazeta Express

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset