Kosova 1 miliard euro borxh, FMN:
Rritja e borxhit nuk është shqetësuese

Borxhi publik i Kosovës ka arritur shifrën e përgjithshme prej rreth 1 miliard eurosh, duke u dyfishuar pothuajse gjatë tre vjetëve të fundit.
 
Në vitin 2014, kur u formua qeveria “Mustafa” (dhjetor 2014), borxhi i përgjithshëm i vendit ishte 582 milionë euro. Nuk kanë kaluar as tre vjet të plota dhe sot borxhi i përgjithshëm ka arritur shifrën prej 980 milionë eurosh.
 
Borxhi u thellua vit pas viti
Qeveria aktuale këto ditë të fundit të qeverisjes ia shtoi vendit edhe rreth 34 milionë euro borxhe përmes dy marrëveshjeve që arriti me Bankën Botërore. Të mërkurën ministri i Financave në largim, Avdullah Hoti, nënshkroi me Bankën Botërore marrëveshjet për kredi, për realizimin e dy projekteve të identifikuara si primare nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Projektin për Konkurrueshmërinë dhe Gatishmërinë për Eksport dhe Financimit Shtesë për Projektin për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural.
 
Edhe këto fonde të siguruara janë kredi që Kosova duhet t'i kthejë duke u bazuar në marrëveshjen e arritur.
 
FMN: Rritja e borxhit nuk është shqetësuese
Zyrtarë të Misionit të Fondit Monetar në Kosovë (FMN) nuk e shohin si shumë shqetësues nivelin e tanishëm të borxhit të përgjithshëm nga ana e Qeverisë së Kosovës, ndonëse gjatë tre vjetëve të fundit borxhi i jashtëm dhe ai i brendshëm është dyfishuar.
 
“Më lejoni të sqaroj se në fund të qershorit borxhi publik i Kosovës ishte 948 milionë euro, prej të cilave 443 milionë euro ishin në borxhin e jashtëm dhe 505 milionë euro në borxhin e brendshëm. Të keni parasysh se zakonisht ne e shohim borxhin publik në lidhje me të ardhurat e një vendi. Në përqindje të GDP-së, borxhi publik i Kosovës aktualisht është 15,5 për qind nga 10,7 për qind në vitin 2014”, thotë përfaqësuesi rezident i Misionit të FMN-së në Kosovë, Ruud Vermeulen.
 
Vermeulen ka shtuar se gjatë të njëjtës periudhë rezervat e parasë së gatshme të Qeverisë u rritën nga 1,8 për qind e GDP-së në 5,6 për qind të GDP-së. “Rritja neto e borxhit publik është pra vetëm 1 për qind e GDP-së. Duke pasur parasysh se ai vjen nga një nivel shumë i ulët, kjo rritje e borxhit publik nuk është një shqetësim”, nënvizon përfaqësuesi i FMN-së në Kosovë.
 
Në këtë pikë FMN-ja, Misioni në Kosovë nuk parashikojnë ndonjë ripagim apo probleme të qëndrueshmërisë së borxhit për Kosovën. Sidoqoftë, Vermeulen tërheq vërejtjen se në vende të vogla pa monedhën e tyre si Kosova kemi parë që gjërat mund të ndryshojnë me shpejtësi. “Kjo është arsyeja pse ne mendojmë se është kaq e rëndësishme që politikat të mbesin të kujdesshme duke shkuar përpara, veçanërisht politikat fiskale”, thekson përfaqësuesi rezident i Misionit të FMN-së në Kosovë, Ruud Vermeulen.
 
Shatri: Borxhi ngarkon buxhetin
Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, në një prononcim për “Zërin” tha se Qeveria e Kosovës e ka prezantuar kredinë si buxhet të shtetit. Ai tha se buxheti përbëhet nga të hyrat buxhetore vjetore dhe jo nga kreditë. "Krejt këto borxhe që i jepet mundësia t’i marrin institucionet po i marrin pa përgjegjësi. Sado e vogël të jetë kamata ose kredia e favorshme, megjithatë këto e zvogëlojnë kapacitetin e shpenzimeve buxhetore në vitet që vijnë", tha Shatri.
 
Në anën tjetër Safet Gerxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, tha se janë duke e përcjellë trendin e rritjes së borxhit publik në Kosovë, mirëpo nëse analizohen parametrat dhe rregulloret e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar borxhi duhet të jetë i kontrolluar dhe i monitoruar, në këtë drejtim besoj që në vitin 2015, 2016 dhe në fillim të vitin 2017 e kemi pasur një disiplinë financiare, e cila e ka lehtësuar menaxhimin e këtyre borxheve. Mirëpo, ajo çka është më shqetësuese, sipas tij, është fakti që këto para të huazuara duhet të kenë destinacion zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë së Kosovës. “Në këtë drejtim duhet një kontroll më i mirë i menaxhimit të tyre”.
 
Ai shtoi se nëse merret parasysh fakti që në vitin 2015 dhe 2016 kemi pasur një rritje afër 4% dhe kemi këtë rritje të borxhit situata nuk është alarmante për faktin që janë kredi të buta, e kanë një periudhë afatgjatë dhe e kanë një grejs-periudhë, sidoqoftë nuk i bëhet nder vendit të zhytet në borxhe.
 
Naim Gashi, njohës i zhvillimeve ekonomike në vend, në prononcimin e tij për “Zërin” tha nëse e krahasojmë Kosovën me vendet e rajonit lirisht mund të themi se Kosova e ka borxhin publik më të voglin në rajon. Mirëpo, sipas tij, kjo nuk na krijon rehati të futemi në borxhe të pakontrolluara, të cilat mund të jenë të papërballueshme për buxhetin e shtetit.
 
“Jam insistues që borxhi publik duhet të merret për projekte që sjellin të ardhura, të cilat mund të shlyejnë atë kredi ose të krijojnë përfitime ekonomike për arkën e shtetit dhe për qytetarët e Kosovës. Dy kreditë që janë marrë nga shteti i Kosovës për subvencionin e bujqësisë dhe tjetra për sektorin e arsimit mendoj që janë keqpërdorur. Bujqit gjithmonë ankohen se ekziston një keqpërdorim masiv i granteve dhe i subvencioneve në sektorin e bujqësisë, ku ata detyrohen të paguajnë 20 deri në 30 për qind për grante dhe subvencione nga një strukturë e organizuar që fatkeqësisht nuk janë hetuar. Ngjashëm ka ndodhur edhe me grantin që e kemi marrë në sektorin e arsimit, ku rezultate e PISA-s kanë treguar që rezultatet e këtyre investimeve nuk kanë qenë të duhura”, shkruan sot, gazeta Zeri
 
Ja si Qeveria e rriti borxhin e shtetit (pa 34 milionë eurot e fundit borxh)

Borxhi publik i Kosovës


dy.b/shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

FOTO/ 'Në shtëpinë time, çfarë bëtë në banjë?', publikohen mesazhet që Icardi i dërgonte Wanda Narës! E tradhtoi me ish-shokun e skuadrës te Interi

FOTO/ 'Në shtëpinë time, çfarë bëtë në banjë?', publikohen mesazhet që Icardi i dërgonte Wanda Narës! E tradhtoi me ish-shokun e skuadrës te Interi