Ky rrëfim përfshin marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, respektivisht ish-Jugosllavisë, që nga fundi i viteve ’40, pra që nga prishja e marrëdhënieve midis dy shteteve dhe deri në gjysmën e parë të viteve ’80. Përcaktimi i autorit për të bërë një libër për këtë periudhë mund të jetë varur nga dokumentet që ka pasur mundësi t’i marrë në shqyrtim, ose është prirë edhe nga ideja se kjo periudhë, historikisht e paeksploruar, krijon kuadër të mirë për të nxjerrë në sipërfaqe zhvillime shumë interesante dhe politikisht kontradiktore në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
Ndonëse dokumentet arkivore, mbi të cilat ndërtohet ky rrëfim, nuk janë as të Enver Hoxhës, as të Komitetit Qendror, autori nuk ngurron që me titullin e librit ta orientojë lexuesin në një konstatim apriori të pakontestueshëm: Enver Hoxha ishte vetë Shqipëria dhe se politikat e saj ndaj Kosovës nuk mund të ishin gjë tjetër, pos politika të vetë kreut të partisë dhe të shtetit shqiptar.
Por do vënë re menjëherë se këto politika janë ndërtuar në mbështetje të një informacioni jashtëzakonisht të varfër dhe shumë herë të gabuar që kishte Shqipëria për Kosovën. Më shumë më pëlqen të besoj se Ministria e Jashtme e Shqipërisë, ku u arkivuan këto dokumente, nuk duket të ketë qenë ndonjë qendër e rëndësishme e bërjes së politikës së shtetit shqiptar ndaj Kosovës.
Meqë Shqipëria ishte shtet komunist diktatorial dhe meqë institucionet e saj shtetërore ishin të politizuara dhe thellësisht partiake, është më e besueshme se në bërjen e politikave të Shqipërisë ndaj Kosovës kjo ministri ishte një ekspoziturë e parëndësishme e partisë dhe e sigurimit të shtetit. Ndryshe, është vështirë të besohet se Shqipëria, në dritën e këtyre dokumenteve, paraqitet aq varfërisht dhe aq keq e informuar për Kosovën.
Pavarësisht nga kjo rrethanë, unë vlerësoj librin e Esat Myftarit, sepse të gjithëve na e bën me dije se tashmë ka ardhur koha që rrëfimet tona për ndodhi të ndryshme historike duhet t’i mbështesim në dokumente, çfarëdo që të jenë ato. Dua të hap këtu një parantezë dhe të them se njëri prej zhgënjimeve të mia me studimet tona historike, është dijenia se në Arkivin Qendror të Shqipërisë, që pesë-gjashtë dekada dergjet një kopje e palexuar e shënimeve të mbajtura gjatë luftës të Miladin Popoviqit, në një kohë që kemi aq shumë rrëfime të tymta për LNÇ në Shqipëri dhe për marrëdhëniet e saj me kreun politik dhe ushtarak të Jugosllavisë.
Dhe po bëhen 5 vjet të tjera që është bërë publik ky fakt dhe ende nuk kemi një përpjekje fillestare të ndonjë historiani, për të hedhur dritë mbi këtë pjesë të errët të historisë sonë. Pra, dua të them se, pavarësisht se Ministria e Jashtme e Shqipërisë nuk ka qenë vendi ku janë bërë “politikat e mëdha” të Shqipërisë për Kosovën, dokumentet e prezantuara në këtë libër, edhe nëse nuk japin tablo të plotë të situatës, japin indikacione të mjaftueshme për zhvillimet në marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, në një kohë me shumë enigma dhe paqartësi.
Por duhet ta themi këtu pa ekuivok, se edhe tani ekzistojnë dallime të mëdha nga mënyra sesi shikohen këto zhvillime, nga këndvështrimi i Kosovës dhe nga këndvështrimi i Shqipërisë. Esat Myftari, duke qenë “kosovar i Shqipërisë”, është përpjekur që në analizat e tij t’i sheshojë ose t’i tejkalojë këto divergjenca, kryesisht duke u mëshuar fort disa tezave, ose duke i shfrytëzuar disa njohje, të cilat u mungojnë analistëve dhe historianëve të Shqipërisë.
Por, edhe pas leximit të këtij libri, do të shohim se ende mbesin shumë divergjenca dhe dilema të hapura. Këto divergjenca nuk mund tejkalohen vetëm duke stigmatizuar ideologjinë dhe diktaturën, siç bëjnë në përgjithësi autorët e Shqipërisë, në njërën anë, apo duke e ruajtur të paprekur sentimentin nacionalist, siç bëjnë kosovarët, në anën tjetër.
Esat Myftari sjell argumente të reja për t’i stigmatizuar politikat e Shqipërisë ndaj Kosovës, por një numër syresh sërish mund të arkivohen si “lëndë për stigmatizim”, në një kohë që pyetjet e shumta, ende pa përgjigje, i tejkalojnë këto klishe dhe këtë stampë. Autorët e Shqipërisë janë të molisur nga hija e errët e diktaturës, por edhe nga dijenia se Kosova mund të ishte një shtegdalje e tyre nga ajo natë e stërzgjatur. Ndërsa mendoj se duhet thënë qartë: Kosova dhe Shqipëria ishin peng të vetvetes për një kohë të gjatë, dhe ishin peng të njëra-tjetrës për një kohë po aq të gjatë.
Kosova nuk e zgjidhte dot problemin e brendshëm të Shqipërisë, nuk kishte potencial, nuk kishte forcë, nuk kishte kapacitete siç thuhet ndryshe, sikundër që Shqipëria nuk kishte kapacitete reale për të zgjidhur problemin e Kosovës. Prandaj, në një rrethanë të këtillë, do të jetë shumë e vështirë të bëhet një diferencim i qartë, që të kuptohet se cili ishte vërtet interesi shtetëror i Shqipërisë dhe çfarë ngatërronte në këtë pikë ideologjia, diktatura dhe lufta për pushtet, sikundër që është shumë e vështirë të diferencohet qartë, nga këndvështrimi kosovar, nëse ndryshimi i sistemit në Shqipëri, apo reformim i tij ishte interes real i Kosovës, apo i politikave të ish-Jugosllavisë.
Pra, cili ishte interesi i Shqipërisë në Kosovë në kohën e Enver Hoxhës? Sipas dokumenteve që prezanton Esat Myftari dhe analizave të tij, del se Shqipëria në Kosovë kërkonte të drejta të shqiptarëve në kuadër të sistemit jugosllav dhe, që ishte më me rëndësi, të mbante nën kontroll nacionalizmin e kosovarëve dhe lëvizjet e tyre separatiste.
Ky interes i Shqipërisë (ende nuk e dimë në ishte interes shtetëror apo trill ideologjik i diktaturës), sipas analizave të Esat Myftarit, arrin pika të larta, sa që Shqipëria të mos i mbështesë realisht demonstratat e vitit 1981 dhe të japë një miratim të heshtur për eliminimin politik dhe fizik të Jusuf Gërvallës. Në këtë pikë po i marrim të mirëqenë argumentet e autorit.
Por ekziston edhe ana tjetër e medaljes: Çfarë synonte ish-Jugosllavia në Shqipëri dhe çfarë synonin eksponentët kosovarë të politikës jugosllave, të cilët janë të apostrofuar gjerësisht në dokumente, si Fadil Hoxha dhe Mahmut Bakalli? Dhe çfarë synonin eksponentët intelektualë, përsëri kosovarë, të kësaj politike, fjalët e të cilëve merren pa rezervë dhe në mbështetje të fjalëve të tyre krijohen shumë mitologji? Nga këndvështrimi i sotëm, pra, pse u dashka t’i besojmë më shumë Fadil Hoxhës se Enver Hoxhës, kur që të dy janë të proveniencës komuniste, në një kohë që njëri bënte politikat e shtetit shqiptar, pavarësisht se çfarë ishin ato, ndërsa tjetri bënte politikat e një shteti armik të Shqipërisë?
Pse duhet të mos i besojmë Enver Hoxhës, kur thoshte se Kosovën e kishte fort për zemër, dhe t’i besojmë Fadil Hoxhës kur thoshte se janë në interes të Jugosllavisë marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve, apo gjepura të këtilla? Në kontekstin e zhvillimeve të asaj periudhe, duhet t’i kemi të qarta dy gjëra: Për shkak të Kosovës, Jugosllavia synonte ta mbante Shqipërinë jashtë ndikimeve bllokiste, veçmas jashtë Traktatit të Varshavës. Po për shkak të Kosovës (pra jo për interes të shqiptarëve të Shqipërisë, as të shqiptarëve të Kosovës), Jugosllavia synonte ta ndryshonte sistemin politik në Shqipëri, në mënyrë që ta kthente Shqipërinë në “përqafim vëllazëror”, siç e kishte pasur dikur dhe ta pacifizonte Kosovën, ashtu siç e kishte paqësuar deri në vitin 1948. Se ishte kështu, do t’ju sjell dy fakte:
Në tetor të vitit 1970, pas vizitës në Tiranë në kuadër të një delegacioni të Universitetit të Prishtinës, Mahmut Bakalli i bën një raport fort të hollësishëm kryetarit të atëhershëm të Komitetit Krahinor, Veli Devës, në të cilin vendin kryesor nuk e zënë marrëdhëniet ndërmjet dy universiteteve, as marrëveshja e arritur, por gjendja politike në Shqipëri, me analizën e kujdesshme se si mund të ndryshojë sistemi politik në Shqipëri. Sipas Mahmut Bakallit, sistemi politik në Shqipëri do të ndryshojë nën trysninë e një shtrese të re teknokratësh, të cilët kishin filluar të shfaqnin hapur pakënaqësinë e tyre me prapambetjen ekonomike. Njëmbëdhjetë vjet më vonë, njëri nga eksponentët e politikës kosovare dhe përgjegjës për marrëdhëniet kulturore Kosovë-Shqipëri, Shaban Hyseni, ish-kryeredaktor i Radio-Prishtinës dhe bashkëpunëtor i afërt i Mahmut Bakallit, në qershor të vitit 1981, në mbledhjen e Komitetit Krahinor ku u analizuan shkaqet e demonstratave të marsit dhe prillit të atij viti, tha shprehimisht: Ne kemi shkuar në Shqipëri që t’i ndryshojmë ata, jo që ata të na ndryshojnë neve.
Sikundër e dëshmon edhe libri i Esat Myftarit, marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri në këtë periudhë kalojnë përmes një sërë problemesh politike, strategjish, komplotesh, djallëzish dhe keqkuptimesh, duke përfshirë në vorbullën e tyre edhe emra të përveçëm të Kosovës dhe të Shqipërisë. Të gjithë analistët e Shqipërisë të këtyre marrëdhënieve duket se e kanë të vështirë të mbajnë një qëndrim të drejtë në raport me këta emra të përveçëm të Kosovës, sepse një numër syresh në Kosovë njiheshin si eksponentë të politikës dhe të shtetit jugosllav, ndërsa të adaptosh pikëpamjet e Enverit dhe të Partisë se kosovarët ishin revizionistë, pra edhe armiq të Shqipërisë, nuk del shumë e përshtatshme. Këta burra me emër nga Kosova shpesh ishin kolonë e pestë e Jugosllavisë, por kur këtë e thoshte Enveri dhe ta pranosh këtë si mirëqenë, të duket sikur po i bën një shërbim ideologjisë së tij. Në të vërtetë, në shumë raste Enveri kishte të drejtë.
Më anë tjetër, do vënë re me këtë rast, se informatat që merr Ministria e Jashtme e Shqipërisë rreth Kosovës nuk janë cilësore dhe prandaj nuk duhet te shprehim habi për qëndrimet politike ndonjëherë krejtësisht të gabuara rreth Kosovës dhe shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
Kështu ndodh edhe me emrat e përveçëm. T’i numërojmë disa raste: Kosovarët nuk mbajtën qëndrim të rezervuar ndaj historianit dhe orientalistit Hasan Kaleshi, pse ai iu kundërvu pikëpamjeve të Aleks Budës, por për shkak se tezat e tij për pushtimin osman, për islamizimin dhe për Skënderbeun ishin teza të historiografisë serbe dhe turke.
Më anë tjetër, është e padenjë që ta ndërtosh pikëpamjen e kosovarëve për Kongresin e Drejtshkrimit duke u mbështetur në një tekst të Hasan Kelmendit, eksponent politik dhe gjuhësor i Halit Tërnavcit. Apo t’i kundërvihesh programit letrar të “Vox clamantis in deserto” me një tekst të Nebil Durakut, sikundër që nuk është shumë e përshtatshme të vendosësh në të njëjtën radhë Rexhep Qosen dhe Vehap Shitën, siç bën Shuteriqi në një raport të tij. Ose t’i japësh rëndësi politike dhe të zërë vend në relacione të “politikave të mëdha” për Kosovën një letër, që, citoj: “akademiku kosovar, Shaqir Jakupi” i ka dërguar kancelarit austriak Krajski etj., kur një “akademik” me këtë emër fare lehtë mund të ishte ndonjë mësues-gastarbajter dhe pjesëtar i ndonjë organizate ilegale në Perëndim, i afërt me përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë.
Në këtë tymnajë të madhe mjegullash të marrëdhënieve të komplikuara ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe në këtë mozaik gri, Esat Myftari vë një gur të rëndësishëm, i cili mbyll një segment dhe hedh dritë mbi një burim të informacionit të institucioneve të Shqipërisë për Kosovën, atë të Ministrisë së Jashtme. Nëse ky institucion ishte i rëndësishëm ose jo, është çështje tjetër, por që duhej të plotësohej ky mozaik, për këtë nuk kam asnjë dilemë.
Së fundi, dy fjalë për gjuhën. Esat Myftari e shkruan librin e tij në gegërishten e standardizuar me bazë elbasanishten e viteve ’60, e cila u përdor edhe në Kosovë deri në Konsultën Gjuhësore të Prishtinës më 1968, kur u vendos që Kosova përfundimisht të ndjekë Shqipërinë në punën e gjuhës. As këtë vendim Kosova nuk e mori vetë, por me miratimin e kreut më të lartë të shtetit jugosllav.
Se ishte kështu, e dëshmon fakti se miratimin për të marrë pjesë kosovarët në Kongresin e Drejtshkrimit e kishte dhënë Petar Stamboliqi, njëra nga figurat më antishqiptare të kreut politik të Serbisë.
Në këtë rast, pra në rastin e gjuhës, që Kosova të ndjekë Shqipërinë, interesat e të tri palëve janë përputhur çuditërisht: interesat e Shqipërisë, të Kosovës dhe të Serbisë, pra të ish-Jugosllavisë.
Asnjëra nga këto palë nuk ishin të interesuara që nga kosovarët të bënin një komb më vete, secila për interesa të veta specifike. Mbi të gjitha, Serbia dhe ish-Jugosllavia nuk ishte e interesuar që nga Kosova të bënte një Maqedoni të re dhe një komb të ri, të ngjashëm me kombin maqedon, për një arsye të vetme, se me këtë veprim Serbia duhej t’i njihte Kosovës të drejtën e vetëvendosjes.
Por pavarësisht nga kjo rrethanë, Kosova e mbështeti fuqishëm unifikimin e gjuhës standarde, gjithashtu për interesa të veta, e theksoj: për interesa të veta! politike, arsimore, kulturore dhe kombëtare, pavarësisht nëse kjo mund të mos i pëlqente Gegnisë brenda Shqipërisë.
Prandaj, shkrimi gegnisht i Esat Myftarit më pëlqen për një arsye: neve të gjeneratës më të vjetër na kthen në një kohë të largët dhe na bën pak nostalgjikë, ashtu siç bëhemi nostalgjikë edhe kur i sjellim në kujtesë ngjarjet e kësaj kohe të shkuar. Pra, ngjarjet dhe gjuha në këtë libër çuditërisht i shkojnë njëra-tjetrës.
Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com