PRISHTINË, 11 Dhjetor/ATSH/.- Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, po qëndron në Shkup ku po merr pjesë në seminarin dy ditorë me temë: "Procedurat penale dhe roli i Prokurorit Publik", i organizuar nga Prokuroria Publike e Maqedonisë.
Sipas KosovaPress, në këtë aktivitet po marrin pjesë kryeprokurorë dhe prokurorë nga Kosova, Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Maqedonia dhe Turqia.
Gjatë këtij seminari do të diskutohet për rolin aktiv dhe udhëheqës të Prokurorit Publik, ndjekjen efektive penale, si dhe luftimin ndërkombëtar të krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Qëllimi i organizimit të këtij seminari është shkëmbimi i informatave dhe praktikave më të mira mes prokurorive të Ballkanit Perëndimorë, shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Turqisë./m.m/









