Presidenca e Kosovës ka zbardhur detaje nga takimi mes ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha. Sipas njoftimit, Haxhiu e vlerësoi diplomatin shqiptar për kontributin e tij ndër vite, duke i thënë se “keni qenë zëri i Kosovës kur Kosova nuk kishte zë”, ndërsa kërkoi vijimin e mbështetjes së Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, afrimin me NATO-n dhe avancimin e procesit të integrimit europian.

"Në takim u bisedua për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, për koordinimin në politikën e jashtme, si dhe për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet dy vendeve. U.d. Presidentja Haxhiu theksoi se afërsia historike, gjuhësore dhe kombëtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mbetet një bazë e fortë për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe për projekte që u shërbejnë drejtpërdrejt qytetarëve të të dyja vendeve. Një pjesë e takimit iu kushtua rrugës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës. Presidentja Haxhiu kërkoi vazhdimin e mbështetjes së Shqipërisë për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, për marrjen e pyetësorit të Bashkimit Evropian, si dhe për afrimin e mëtejshëm të Kosovës me NATO-n dhe Partneritetin për Paqe. Presidentja Haxhiu theksoi se Kosova dhe Shqipëria duhet ta vazhdojnë koordinimin e ngushtë në të gjitha forumet ndërkombëtare, në shërbim të forcimit të pozitës së Kosovës dhe interesave të përbashkëta në rajon dhe në Evropë”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, është afirmuar mbështetja dhe afirmimi i marrëdhënieve mes dy vendeve.

"Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë sot më të forta dhe më të konsoliduara se kurrë më parë, të mbështetura mbi partneritetin tonë strategjik, vizionin e përbashkët euroatlantik dhe lidhjet e pandashme mes dy vendeve tona. Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj të gjithanshme për Kosovën, përfshirë në afirmimin dhe konsolidimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Shqipëria do të vazhdojë të jetë një zë i fortë në mbështetje të Kosovës, sepse një Kosovë më e fortë, më e integruar dhe më e afirmuar ndërkombëtarisht është në interes të paqes, stabilitetit dhe të ardhmes evropiane të gjithë rajonit. ", bëri me dije ministri Hoxha.


Lajmi kryesor:

Hoxha në Prishtinë: Kosova, prioriteti ynë absolut! Kush ju prek juve, cenon Shqipërinë! Konjufca: Na duhet mbështetje për anëtarësimin në NATO e BE